Site icon Telegrafi

Vetëvendosje do të votojë kundër Buxhetit për vitin 2017

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka miratuar sot në parim me shumicë votash Projektligjin për Buxhetin e vitit 2017, pavarësisht debatit “të nxehtë” që u zhvillua. Por të njëjtin po e kundërshtojnë edhe disa deputetë të koalicionit qeverisës, kurse Lëvizja Vetëvendosje tashmë është deklaruar se do ta votojë kundër buxhetit për vitin e ardhshëm.

Kundër këtij projektligji votoi deputeti nga radhët e PDK-së, Shukri Buja, i cili është edhe përfaqësues i koalicionit qeverisës në këtë Komision.

Mirëpo pavarësisht kësaj, kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani në një deklaratë dhënë disa medieve ka thënë se javën e ardhshme do të mbahet seanca, ku edhe pritet që Projektligji për Buxhetin të kalojë në lexim të parë.

Ai madje ka kërkuar edhe bashkëpunimin e deputetëve të opozitës në shqyrtimin e kësaj çështje të cilin e quajti të rëndësishme për vendin.

Por siç duket opozita nuk e ka në mendje ti bindet “lutjes” së Osmanit. Subjekti më i madh opozitar Lëvizja Vetëvendosje do të votojë kundër miratimit të këtij buxheti.

Kështu ka deklaruar për Telegrafin deputetja Shqipe Pantina, e cila njëherësh është edhe anëtare e Komisionit për Buxhet dhe Financa.

“Në shqyrtimin e parë në Komisionin për Buxhet, opozita ka votuar kundër këtij buxheti duke dhënë edhe arsyet e veta. Dhe natyrisht, se edhe në seancë LVV do votojë kundër pasi ky buxhet nuk garanton zhvillim ekonomik e as punësim e mirëqenie për qytetarët”, ka thënë Pantina.

Ajo ka shtuar se ky buxhet është më shumë buxhet elektoral dhe se kjo ilustrohet më së miri tek investimet kapitale në fushën e infrastrukturës.

“Janë me dhjetëra projekte për te cilat janë ndarë nga 50 000 euro për vitin 2017, përderisa shuma totale e buxhetit shkon prej 250 000 deri në 950 000. Pra kjo qeveri tenton vetëm të fillojë sa më shumë rrugë, por që përfundimi i tyre pritet të bëhet tek në vitin 2019”, theksoi Pantina, duke shtuar se kjo qeveri do të fusë në obligime edhe qeverinë e ardhshme, e cila mund të mos e këtë prioritet asfaltin, por ta zëmë arsimin, shëndetësinë apo prioritete tjera.

Buxheti i Republikës së Kosovës, i paraparë për vitin 2017, do të jetë 2 miliardë e një milion euro./Telegrafi/

Exit mobile version