Site icon Telegrafi

​Veseli në BIK: Për Ramazan në pamundësi për të qenë bashkë fizikisht, të lidhemi me shpirt

Me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, vizitoi sot Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u prit nga myftiu Naim Tërnava, dhe drejtues të tjerë të kësaj bashkësie fetare.

Veseli tha se në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit, besimtarët myslimanë duhet të jenë të bashkuar me shpirt, për shkak të pamundësisë për të qenë bashkë fizikisht si pasojë e gjendjes me pandemi.

“Të gjithë besimtarëve tanë, urime muaji i shenjtë i Ramazanit, muaji i solidaritetit. Me shpirt do të jemi të gjithë bashkërisht edhe pse fizikisht do të jetë pak e vështirë në këto rrethana që të jemi afër njëri-tjetrit. Falënderoj BIK, myftiun dhe të gjithë ata që po bëjnë punë të jashtëzakonshme. Janë rreth 25 mijë ndihma vetëm familjeve që iu kanë shpërndarë gjatë kësaj kohe të pandemisë nga BIK, i inkurajoj bamirësit që edhe më tepër të shtojnë solidaritetin të jemi bashkë, do ta kalojmë këtë situatë për arsye se kemi Zotin me vete”, tha Veseli.

Ndërsa, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim Tërnava, deklaroi se në këtë takim ndër të tjerash kanë diskutuar për gjendjen e krijuar me COVID-19.

“Me kryetarin diskutuam edhe disa tema të tjera, të cilat kanë të bëjnë me solidaritetin që përmban ky muaj i shenjtë, por edhe me gjendjen e pandemisë në Kosovë dhe mundësinë për t’i dalë në ndihmë të gjithë personave në nevojë”, deklaroi Tërnava.

Exit mobile version