Kompania e veshjeve me bazë në Tokio, Sweet Mommy, ka një mënyrë të re për t’u ofruar freski kafshëve shtëpiake.
Në vend që të përdorin spërkatës ose t’i pozicionojnë para kondicionerit, janë krijuar “rroba për kafshë shtëpiake me ajër të kondicionuar” të quajtura ‘COOL DOG’ (megjithëse macet mund t’i veshin ato gjithashtu).
Pajisja është një ventilator i përshtatshëm që mund të fiksohet në shpinën e një kafshe dhe është projektuar për të ndihmuar në parandalimin e goditjes nga nxehtësia gjatë shëtitjeve.
Ventilatori që u lansua në fillim të korrikut, përdor dy bateri AAA dhe peshon afërsisht 85 gramë.
Në një intervistë me South China Morning Post, prodhuesi Rei Uzawa thotë se bateritë duhet të zgjasin tre muaj, me kusht që të përdoren për një shëtitje 10-minutëshe, dy herë në ditë.
Pajisja ngjitet në një këmishë rrjetë për qen, e cila më pas ndihmon në qarkullimin e ajrit rreth trupit të kafshës shtëpiake.
Uzawa ka thënë se për prodhimin e saj një burim frymëzimi kanë qenë edhe veshjet me ajër të kondicionuar për njerëzit, të tilla si Sony Reon Pocket.
Flladitësi kushton 9.900 jen (rreth 73 euro), por tash për tash, sipas Reuters, duket se është ekskluziv vetëm për në Japoni. /Telegrafi/