Në katër komunat veriore të Kosovës është duke u vendosur sistemi i vëzhgimit me kamerë.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani në një intervistë për Telegrafin ka treguar se sa e rëndësishme është vendosja e sistemit të vëzhgimit në katër komunat veriore të Kosovës.
Elshani tha se vendosja e kamerave ka filluar qe një kohë më të gjatë në veri të vendit.
Ai tha se aty ku ka pikë statike dhe ku qëndrojnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës aty do të ketë dhe kamera të sigurisë.
“Prej momentit që kemi ardhur këtu në dhjetor të vitit 2022, ne e kemi pas për obligim me i mbrojtë stacionet policore dhe pikat ku rrinë policia. Aty ku ka pikë statike, aty ku është policia ka dhe kamera. Sidoqoftë tani jemi zgjeruar duke marrë më shumë policë në detyrë. Jemi zgjeruar në kualitet të hetimeve dhe e kemi të arsyeshme dhe kemi bërë kërkesë që të vendosen kamera në mbarë territorin e veriut të vendit, nëpër rrugë magjistrale, e rrugë komunale si në Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok”, ka thënë Elshani.
Sipas tij, ky proces tashmë ka filluar dhe konsideron që do të varet dhe nga kompania se deri kur mund t’i kryejë këto punë me instalime.
Elshani tregoi se do të jenë diku rreth 200 kamera që do të vendosen në katër komunat veriore.
“Veriu i vendit nuk asnjë dallim nga rajoni i Pejës, apo Gjilani etj. Por, vendosja e kamerave të sigurisë sipas ligjit arsyetohet me atë që vendet publike mbulohen dhe qëllimin kryesorë e kanë parandalimin e kundërvajtjeve, të veprave penale. Por nëse ato ndodhin të kemi kualitet të hetimeve. Që d.m.th të kemi më lehtë ndriçimin e rasteve.
I pyetur se sa ua lehtëson punën në terren vendosja e sistemit të vëzhgimit, Elashani tha: “Na e lehtëson shumë punën. Që d.m.th ne e kemi mundësinë që nëpërmjet monitorimit të kamerave të verifikojmë rrugët, magjistrale, qytetin, apo udhëkryqet që aty gjithsesi që kalojnë kryerësit e veprave penale apo kundërvajtësit, etj. në do ta krijojmë një klimë të sigurisë më të madhe te qytetarët e veriut të vendit”. /Telegrafi/