Site icon Telegrafi

Vdekja tragjike e zyrtarit të FSK-së, Prokuroria e Prishtinës: Dyshohet se viktima ka rënë nga kati i 11-të i ndërtesës

Një burrë raportohet se ka vdekur derisa ishte duke punuar në një objekt banesor në rrugën “Gucia” në Prishtinë, dje, më 09.11.2024, rreth orës 16:00.

Lidhur me rastin tragjik ka reaguar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila ka njoftuar se i ndjeri ishte zyrtar civil në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së.

“Njoftojmë të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, se pas një aksidenti tragjik ka ndërruar jetë ish ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Trupave të Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, Liman Musliu, nga jeta ndahet në poziten zyrtar civil në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës”- thuhet në njoftimin e FSK-së të lëshuar sot, më 10.11.2024.

Sipas njoftimit, edhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtnant Bashkim Jashari u ka shprehur ngushëllime familjes dhe miqve të të ndjerit, duke e vlerësuar lartë kontributin e tij në FSK.

Ndërsa Zëdhënësi i Prokurorisë së Prishtinës, Skender Govori, tha viktima dyshohet se derisa ishte duke punuar ka rënë nga kati i 11-të i ndërtesës.

Govori ka konfirmuar se pas marrjes së informacionit, prokurori kujdestar dhe ai i Krimeve të Rënda, së bashku me hetuesit policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e trajtuar rastin e vdekjes së viktimës.

“Dyshohet se një punëtor ka rënë prej katit të 11-të. Prokurori kujdestar dhe ai i Krimeve të Rënda kanë dalë në vendin e ngjarjes, prokurori e ka dhënë urdhrin për autopsi dhe ka urdhëruar që viktima të dërgohet në IML dhe i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet se bashku me zyrtarët policorë në vendin e ngjarjes”- ka thënë Govori për KALLXO.

Lidhur me vdekjen e Liman Musliut ka reaguar edhe vëllai i tij, imami Osman Musliu.

Ai ka treguar se varrimi i vëllait të tij do të bëhet të hënën, më 11.11.2024, në fshatin Likoc në ora 15:00.

Ndryshe, rasti nga Policia e Kosovës po trajtohet si – asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës.

Exit mobile version