Telegrafi

Vazhdojnë punimet për ndërtimin e fushave të tenisit në Gjakovë – projekt që u nis në vitin 2017

Gurthemeli për ndërtimin e fushave të tenisit në qytetin e Gjakovës ishte vendosur qysh në vitin 2017, kjo sipas një projekti të përbashkët në mes të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporit si dhe Komunës së Gjakovës.

Ndërsa tre vite pas vënies së gurthemelit, përkatësisht në vitin 2020, mes dy institucioneve të lartpërmendura, ishte planifikuar që punimet për ndërtimin e fushave të tenisit të vazhdonin, ku ishte bërë edhe kontraktimi i operatorit që do t’i kryente këto punime, mirëpo në dhjetorin e vitin 2021 u bë shkëputja e kontratës me kompaninë e kontraktuar, për shkak se punimet ishin ndërprerë si pasojë e pandemisë.

Duke parë rëndësinë e ndërtimit të këtyre fushave, Komuna e Gjakovës në vitin 2023 e kishte buxhetuar e vetme këtë projekt, ku së fundmi në një postim të bërë nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Gjakovës, bëhet e ditur që punimet për ndërtimin e terreneve të tenisit po vazhdojnë.

Në një deklaratë për Telegrafin, trajneri i Klubit të Tenisit “HotShot”, Art Baruti e sheh si tejet të rëndësishme vazhdimin e këtyre punimeve.

“Përkunder faktit që Komuna e Gjakovës është më e suksesshmja në Federatën e Tenisit të Kosovës për moshat deri në 12 vjet, gjatë 7 viteve të fundit, në Gjakovë asnjëherë nuk ka pasur investim në infrastrukturë dhe ende jemi pa terene adekuate për ushtrime. Projektit për ndërtimin e terreneve i është vënë gurethemeli në vitin 2017 dhe që nga atëherë punimet kanë nisur e janë ndërprerë disa herë”.

“Dje u njoftuam se punimet po vazhdojnë përsëri dhe ky është lajm shumë i mirë për ne pasi që kompletimi i terreneve është hap i domosdoshëm nëse duam ta ngrisim tenisin në një nivel tjetër”, ka thënë fillimisht Baruti për Telegrafin.

Baruti po ashtu shtoi se nga mungesa e terreneve sportive klubet e tenisit të Gjakovës kanë hasur në shumë vështirësi.

“Nga mungesa e terreneve deri më tani kemi pasur shumë vështirësi si klube dhe poashtu kemi humbur shumë gjenerata të tenistëve të talentuar dhe shpresojmë që këtë herë punimet të vazhdojnë deri në kompletimin e plotë të projektit në mënyrë që potenciali i talentëve të rinj të mos humbet ,por të kultivohet dhe të arrihet potenciali i tyre maksimal duke e përfaqësuar Komunën e Gjakovës në mënyrë sa më dinjitoze”, shtoi Baruti.

Theksojmë që vlera e këtij projekti për ndërtimin e terreneve të tenisit në Gjakovë e kap shifrën e 241 mijë eurove./Telegrafi/