Një vajzë nga Kosova dhe bashkëpunëtorët e saj kanë dëshmuar se mjafton të jesh kreativ dhe “kufijtë nuk do të ekzistojnë më”.
Bëhet fjalë për një grup të udhëhequr nga Hana Arapi, i cili ka marrë besimin e mediumit – ndoshta më prestigjiozit në botë – The Guardian, për të bërë një dizajn grafik.
Siç ka thënë Arapi, bëhet fjalë për dizajnin e projektit grafik të projektit të 200-vjetorit të kësaj gazete britanike.
Hana Arapi është një vajzë nga Prizreni e cila e ka themeluar dhe e udhëheq në Prishtinë kompaninë e dizajnit, “Amam Studio”.
Në një prononcim për Telegrafi.com, Hana Arapi ka thënë se është ndjenjë e papërshkrueshme të vlerësohesh nga kompani si The Guardian.
“Disiplina dhe besimi në atë që bëjmë, si dhe dëshira e madhe për të krijuar gjëra të mira, na i kanë mundësuar të gjitha bashkëpunimet që i kemi pas deri më tani. Dhe ja tash, na është dhënë mundësia që kreativitetin tonë me e nda edhe me një projekt të ‘The Guardian’”, ka thënë ajo për Telegrafi.com.
Ndryshe, “Amam Studio”, kompania që e udhëheq Hana Arapi, deri më tani ka implementuar projekte të ndryshme edhe për UNDP, UNICEF, Caritas, FES – Friedrich Ebert Stiftung, Anibar – Animation Festival, ICK – Innovation Centre Kosovo, INDEP – Institute for Development Policy, Social Lab, sBunker, Coder Gals, Pomilio Blumm (Itali), Millions (Norvegji), Ornio (Norvegji), Afta Eats (Britani e Madhe), Koperativa (Kosovë), Kutia Digital Agency (Kosovë), Prosperify (Zvicër), Prince Coffee House (Kosovë), Dukagjini Publishing (Kosovë), etj. /Telegrafi/