Site icon Telegrafi

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj hap dyert për studentët e rinj

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka njoftuar se tashmë ka hapur konkursin për pranimin e studentëve të rinj në nivelin bachelor dhe master për vitin akademik 2024/2025.

Sipas këtij universiteti në këtë vit akademik në nivelin bachelor, do të pranohen 400 studentë të rregullt, prej të cilëve 48 vende janë rezervuar për komunitetet joshumicë, 7  vende për kandidatët nga Mali i Zi, 8 nga Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, 8 vende për kandidatët nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

“Kandidatët për studentë të UShAF në nivelin bachelor, në këtë afat të konkursit, do të kenë mundësi të aplikojnë në programet: Dizajn Grafik dhe Multimedia,  Menaxhment i Hotelierisë dhe Turizmit, Informatika e Aplikuar, Menaxhimi i Biznesit dhe Ndërmarrësia, Arkitekturë e Interierit dhe Dizajn i Mobilieve, Dizajni dhe Konstruksionet e Produkteve nga Druri, Inxhinieri Industriale me Informatikë. Ndërsa, në nivelin e studimeve master, do të pranohen 140 studentë të rregullt, prej të cilëve 17 vende janë të rezervuara për komunitetet joshumicë, 4 vende për kandidatët nga Mali i Zi, 4 nga Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, 4 nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut”, thuhet në njoftimin e UShAF-së.

Sipas këtij universiteti, programet në nivelin master, në të cilat do të mund të aplikojnë kandidatët janë: Arkitektura e Gjelbër dhe Dizajni i Interierit; Menaxhimi dhe Inovacioni në Turizëm, Inxhinieria dhe Menaxhimi i Prodhimit, Menaxhimi i Ndërmarrësisë dhe Inovacioni.

“Aplikimi online për të dyja nivelet e studimit do të bëhet nga data 23/07/2024 deri më 31.07.2024 në ora 16.00. Ndërsa, dorëzimi i dokumentacionit fizik vetëm për kandidatët të cilët kanë aplikuar online do të bëhet prej datës 23.07.2024 deri më datën 31.07.2024 (dokumentet do të pranohen çdo ditë, nga ora 08:00 deri në 16:00, me përjashtim të të dielave). Gjatë kësaj periudhe gjithashtu do të bëhet verifikimi i dokumentacionit nga personeli i administratës”, thuhet më tej në njoftim.

Exit mobile version