Site icon Telegrafi

“Unaza e Saturnit”, testamenti poetik i Xhevdet Bajrajt

Zyrafete Shala dhe Xhevdet Bajraj

Nga: Zyrafete Shala

Vëllimi poetik “Unaza e Saturnit” është vëllimi i parë dhe i vetmi i poetit Xhevdet Bajraj që fund e krye përmban poezi të dashurisë. Në krijimtarinë e tij të pasur poetike, që shtrihet në një periudhë kohore mbi tridhjetë vjeçare, Xhevdeti i ka kënduar dashurisë, kur më shumë e kur më pak, madje, dashurinë kaherë e ka vlerësuar si ekuivalent të të jetuarit. Megjithatë, asnjëherë më parë nuk i dedikoi kësaj teme një vëllim të tërë me poezi, e këtë e bëri pikërisht në fund të rrugëtimit të tij në këtë botë. Shumë vjet më parë në një nga intervistat e tij poeti thotë se: Kur jetohet jeta nuk dhemb, jeta dhemb kur nuk jetohet. Nisur nga kjo sentencë dhe duke qëndruar edhe më tej brenda filozofisë së Xhevdet Bajrajt, mbase na lejohet që të nënkuptojmë se edhe një jetë e kaluar me dashuri, nuk dhemb, e aq më pak kur ajo përmbyllet duke i thurur himn dashurisë. Nga ky pikëvështrim, një shpërthim i tillë lirik pak para ndërprerjes së krijimtarisë, merr një konotacion më të thellë, për t’u shfaqur më tepër sesa epilog, si një rekapitullim i ndërdijshëm i vlerës së të jetuarit apo edhe si një duel i fuqishëm mes Erosit dhe Thanatosit. Ky duel në poezinë e Bajrajt është shfaqur shumë herët dhe ngadhënjimi i njërit apo tjetrit, në faza të ndryshme të përleshjes, ka determinuar edhe diskursin mbizotërues dhe atmosferën e poezive të tij, që shfaqen ndonjëherë me disponim të errët si momento mori e ndonjëherë plot shkëlqim e dritë.

“Unaza e Saturnit” është libri i fundit i dorëzuar në shtyp nga vetë autori, prandaj, gjatë leximit të poezive, deshëm apo jo, e gjejmë veten duke u përpjekur të deshifrojmë të pathënat, filozofinë jetësore dhe mënyrën e perceptimit të botës derisa poeti ndjente tek i endeshin përreth engjëjt e zi të vdekjes. Edhe pse ky vëllim kishte kohë që konsiderohej i finalizuar, në dorëshkrimin me poezi të pabotuara, që kam pranuar nga Xhevdeti pak ditë para ikjes së tij nga kjo botë, krahas udhëzimeve të tjera, kam gjetur shënime se disa poezi duhet të shtohen te ky vëllim, që do të thotë se deri në çastet e fundit poeti ishte i preokupuar rreth fatit të mëtejmë të krijesave të tij, aq sa i lejonin rrethanat në të cilat gjendej… dhe kur e ndjeu se ndarja nga to u bë e pashmangshme, atëherë duke më bërë një nder të jashtëzakonshëm, m’i besoi mua me porosinë që t’i kem nën përkujdesje. Titulli i librit edhe në kohën e dorëzimit, edhe gjatë përgatitjes për shtyp, ishte i përkohshëm, meqë Xhevdeti ende ishte i dyzuar mes dy përzgjedhjeve “Unaza e Saturnit” dhe “Aty ku perënditë gjunjëzohen”, prandaj, bashkë me botuesin kemi vendosur që libri t’i ketë të dy titujt, sepse që të dy e përvijojnë plotësisht konceptin e Bajrajt për dashurinë.

Në asnjë nga vëllimet e mëparshme të Xhevdetit, dualizmi jetë – vdekje (lexo: dashuri – vdekje), nuk është më i theksuar sesa te

“Unaza e Saturnit”, ngase ato, krijimet e mëhershme me motive të tilla, ishin reagim ndaj situatave të rënda jetësore, qoftë krimeve gjatë luftës, qoftë vdekjes së njerëzve të dashur. Ndërsa në këtë vëllim koncepti i vdekjes shfaqet me përmasa të reja, si një dukuri që poeti e ndjen shumë pranë vetes, pavarësisht nëse është i vetëdijshëm për të apo jo, prandaj si i tillë ky libër mund të analizohet në shumë rrafshe. Janë tri cikle në të cilat ndahen poezitë e vëllimit “Unaza e Saturnit” (“Aty ku perënditë gjunjëzohen”): Legjenda e ujit të ëmbël, Poeti dhe muza dhe Ringjallja, të cilave u prin Kënga e dashurisë, një krijim programatik, ku krahas ndjesisë që sjell tek të tjerët të kënduarit për dashurinë, shfaqet edhe konceptimi i dashurisë si liri shpirtërore. Nga një vështrim i tërësishëm i poezive të këtij vëllimi vërehet se në mesin e tyre ka lirika të kulluara të dashurisë, dedikuar Asaj, Muzës apo Zanës; poeti rrëfen, kujton ngjarje e situata, sugjeron shtigje për të ardhmen, adhuron Muzën, flet mbi të vërtetat që thuhen vetëm kur njeriu është i dashuruar. Vijnë pastaj poezitë e tjera ku dashuria shfaqet e mbështjell me një tis trishtimi, e rrethuar nga hija e vdekjes dhe së fundi, një grup poezish që në dukje dalin si të shkëputura nga tematika mbizotëruese, por që ngërthejnë në vete dilemat dhe trazimet shpirtërore të subjektit lirik nëpër periudha të caktuar kohore, mes luhatjeve të hovshme të disponimit. Ngjashëm me vetë jetën, që shpesh i përafron çastet e këndshme dhe ato të hidhura edhe ndarja e poezive nëpër cikle nuk ka si kriter përmbajtjen substanciale të tyre; ato ndjekin një rend të natyrshëm, duke shpërfaqur kështu kompleksitetin e përjetimeve emocionale të subjektit lirik.

Dashuria si shpëtim nga tufanet e jetës dominon në një varg të poezive; atëherë kur ritmi i të jetuarit sikur fillon të përshpejtohet, kur: Një erë e fortë / i shkul ditët e netët / nga kalendari i jetës, njeriu, i shtytur nga instinkti i mbijetesës, kërkon të gjejë diçka, qoftë një degë, një fije kashte, një fjalë apo ndjenjë që do ta mbante të lidhur për truallin e jetës. Xhevdet Bajraj me kohë ka pohuar se në moshë të re ka nisur të shkruaj poezi nga frika prej vdekjes, ndërsa e ka vazhduar më tej që të mund ta përballojë jetën, mirëpo në ciklin e poezive ku dashuria shfaqet si shpëtim, përballjen me jetën e mbështet vetëm te dashuria; madje, krijon dikotominë e fuqishme poezi-dashuri, ngase ai: e kishte kuptuar / se ata sy / se poezia / janë një mënyrë / për t’i thënë jetës / ja ku jam. Ashtu si Zoti që njeriut të parë i krijoi një grua, për ta mbytur mërzinë, edhe Bajraj, e ndjen se brenda poezisë së tij duhet të shtojë një grua, që tabloja të jetë e përplotësuar dhe përballja me peshën e padurueshme të jetës të bëhej më e lehtë. Prandaj kufijtë e dashurisë në poezinë e Bajrajt tejkalojnë përmasat e jetës në tokë, ata shtrihen në të gjitha botët, në tërë universin, ku lëvizja e trupave qiellorë dhe dukuritë e natyrës vihen në funksion të dashurisë: Nuk do të ndalem / derisa ta zgjoj diellin / përtej Atlantikut / e ai të të zgjojë ty / me një puthje. Nevoja e natyrshme për të pasur në krah dashurinë, gjatë rrugëtimit nëpër trajektoren e jetës, u jep ngjyrime magjike edhe çasteve të njohjes, ditëve të rrethuara me gjemba – siç i quan poeti, atyre ditëve që vijnë befasishëm, por që shënojnë kthesa të fuqishme duke thyer acarin e jetës: Më dhemb / që nuk mund të ta shpjegoj / se ende jetoj në atë ditë / kur jemi takuar për herë të parë.

Në kuadër të poezive ku përmasat e dashurisë shtrihen deri në pafundësi, zënë vend edhe poezitë në të cilat subjekti lirik personifikohet me objekte të natyrës ujin, pemën, diellin, apo edhe me vetë vargjet e tij, vetëm për të qenë më pranë të dashurës. Personifikimet e kësaj natyre, lexuesit mund t’i vijnë si reminishenca nga poezia e traditës, megjithatë Bajraj i përpunon ato, i bën më praktike, i përafron me përditshmërinë, u jep ndjeshmëri e kuptim të ri brenda sistemit poetik dhe filozofisë së tij origjinale jetësore. Dashuria si mall apo si mungesë, përshkon një varg poezish që i karakterizon një figuracion jashtëzakonisht i pasur, përmes të cilit sendërtohet dhimbja, malli dhe thellësia e vuajtjes së subjektit lirik, si në vargjet: e dashur / mos shko / aty ku nuk do të mund të të sheh / zemra ime / mos u fsheh nga ajo / se është lodhur duke vdekur / pa të parë, apo në poezinë tjetër: Ajo është më e vërtetë se dielli / sa larg është e sa shumë më djeg / malli për të. Është pikërisht malli, që gruas në poezinë e Bajrajt, i jep pushtet të pakufishëm mbi çdo gjë që e rrethon, ajo i bën lulet e fustanit të lulëzojnë, hardhinë të pjekë rrushin, e bën diellin të lind, e shndërron njeriun në engjëll, i bën të ndjejnë të ftohtë banorët e qytetit kur ajo futet brenda shtëpisë. Ky pushtet i paskajshëm, sikur i shton edhe më shumë mallin për të, ndaj përkundër vështirësive që i sjell jeta, poeti i drejtohet asaj për t’i konfirmuar takimin e radhës: Muzë / mos ke frikë / po vrapoj kah ti / pa këmbë / Mbase do të vonohem / por gjithsesi do të vij.

Megjithatë, poeti është i vetëdijshëm se rendi i gjithësisë nuk drejtohet nga dëshirat e njerëzve, prandaj në sfondin e shumicës prej poezive qëndron errësira ku dëgjohet troku i kalit të vdekjes. Ai e ndjen se bota përreth dalëngadalë po e humb shkëlqimin, e ndjen se: sa rëndë qenka / ta shohësh një grua të bukur / me sytë e një të vdekuri; por ai vazhdon të shkruaj, t’i sjell lexuesit edhe ato drithërima që po i ndjente për herë të parë. Poezitë në të cilat Xhevdet Bajraj e parandjeu fundin e afërt, janë të shumta brenda këtij vëllimi, por Amaneti, Ajo tokë, Verë e bardhë, Kali e njihte rrugën, Buzë varrit, Restoranti ‘Jeta’, Takimi me dallëndyshen etj. janë ndërtuar mbi motive të tilla që, të shikuara nga këndvështrimi i tanishëm, janë profetike: E dashur / jam pakëz / vetëm pakëz i lodhur / nëse nuk do të jem më / kur të botohet ky libër / amanet / le të më varrosin me këpucë të mbathura / se s’jam i marrë / ta bëj as edhe një hap / në të panjohurën / pa to. Sado që e preokupon rrugëtimi drejt të panjohurës dhe ndarja nga gjërat e bukura të jetës, Xhevdeti me kokëfortësi vazhdon ta mbrojë të vërtetën e tij që vetëm nëse dashuron je gjallë / e nëse të duan atëherë je edhe më gjallë, për më tepër ai është i sigurt se: nëse je në qiell / apo në varr / por të dashurojnë / je gjallë / më se i gjallë – qasje kjo me të cilën Bajraj jo vetëm e paraqet dashurinë si energji të jetës, por e ngre atë mbi çdo gjë, madje edhe mbi vetë vdekjen.

Poezitë e këtij vëllimi testament janë himne për dashurinë, pavarësisht rrethanave në të cilat shfaqet, pavarësisht moshës, ngazëllimeve dhe dhimbjeve që shkakton ajo. Si i tillë, vëllimi poetik “Unaza e Saturnit” po aq sa rrugëtimin e dashurisë brenda një jete, shpërfaq edhe rrugëtimin ndriçues të poetit brenda vetes, brenda ndjeshmërive që i hapin rrugë shpirtit të lirë krijues. Si poet, i ngarkuar me detyrën e shenjtë të mbjelljes së dashurisë, Xhevdet Bajraj nuk rreshti asnjë çast së përmbushuri këtë detyrë, i deshi njerëzit, i deshi bashkëkombësit, e deshi atdheun, e deshi të bukurën dhe u përpoq t’i vinte emër asaj, t’i gjente vendin në këtë botë; e deshi lirinë dhe u përball me dhimbjet që i shkaktonte ajo. Tërë ky potencial që u transponua në vargje antologjike, i siguroi atij pavdekësinë. Me këtë vëllim poetik, që nuk do të jetë fundit, Xhevdeti, e shtyu edhe një hap më tutje poezinë shqipe, gjegjësisht poezinë e dashurisë. Peneli i tij prej mjeshtri nuk synoi asnjëherë stolisjen e vargjeve me trillime retorike, ngarkimin e tyre me fjalë parazitare, ai punoi shumë në mbrujtjen e fjalës me emocion dhe lehtësinë e bartjes së këtij emocioni deri te zemrat e lexuesve, për t’i zgjuar ato nga letargjia, ashtu siç ngjan rëndom vetëm në poezitë universale që u mbijetojnë kohërave dhe kulturave të ndryshme. Xhevdeti nuk ishte nga ata krijues që lehtësinë e të shkruarit e konsiderojnë si shkathtësi apo edhe si perfeksionizëm. Mendimet e tilla i konsideronte si fyerje për letërsinë, sepse procesin krijues e shihte si gjendje me përgjegjësi. Në bisedat e shumta që kishim mbi letërsinë, Xhevdeti shpeshherë më ka përsëritur se: “Nuk është me rëndësi sa mundohet poeti të nxjerr fjalët dhe të krijojë kuptimin, ajo është pjesë e laboratorit krijues dhe mbetet brenda tij, sepse është e natyrshme që çdo krijim, çdo lindje të përcillet me dhimbje. Me rëndësi është që lexuesit t’i kuptojnë lehtë dhe t’i ndjejnë sa më pranë ato që u përcjell krijuesi.” /Parathënia e vëllimit poetik “Unaza e Saturnit” botuar nga SHB “Armagedoni”/Telegrafi/

Exit mobile version