Telegrafi

Ukrainasit po bëjnë ‘përparim të rëndësishëm’ në kundërofensivë – thotë ISW

Ushtarët ukrainas kanë bërë “përparime” në kundërofensivën e tyre dhe gjithashtu “e kanë bërë të pamundur që forcat ruse të lëvizin fuqinë e tyre luftarake nga Bakhmut”.

Kështu ka thënë për Sky News, Dr Kimberly Kagan, presidente e Institutit për Studimin e Luftës (ISW), përcjell Telegrafi.

Ajo tha se trupat ukrainase po bënin “përparim të rëndësishëm” në kundërsulmin e tyre dhe “fitime të rëndësishme” përmes linjave ruse.

Dr Kagan tha gjithashtu se kundërofensiva po shkonte “ngadalë” sepse ishte e vështirë të depërtoje në fushat e minuara.

“Ne nuk duhet të presim ende lëvizje të shpejtë në mbrojtjen ruse”, theksoi ajo.

Lexo po ashtu Rusia humbi 320 ushtarë vetëm ditën e fundit – Ukraina publikon edhe humbjet ruse në përgjithësi

“Ajo që ne duhet të presim të shohim dhe ajo që mund të shohim nëse ukrainasit janë në gjendje të vazhdojnë dhe të mbajnë suksesin e tyre është se ndërsa bëjnë përparime përtej linjës surovikin (sistemi i fortifikimeve të mbrojtjes ruse), rusët janë më pak në gjendje të mbrojnë linjat”.

Ekspertja shtoi se ukrainasit kishin arritur përparime “rreth skajeve të Bakhmut”, të cilat rusët shpenzuan një sasi të madhe fuqie luftarake për t’i mbrojtur.

“Ukrainasit kanë mbajtur presion mbi Bakhmut dhe e kanë bërë të pamundur për rusët që të lëvizin asetet e tyre luftarake nga Bakhmut në pjesë të tjera”.

Bakhmut është një qytet në rajonin lindor të Donbasit, ku për muaj me radhë – forcat ruse duke përfshirë mercenarët e grupit Wagner – sulmuan pamëshirshëm në një përpjekje për të marrë kontrollin e plotë të lindjes. /Telegrafi/