Site icon Telegrafi

Ukraina rrëzoi 10 raketa ruse dhe mbi 20 dronë nga sulmet masive ruse gjatë natës

Ukraina rrëzoi 10 raketa dhe mbi 20 dronë të lansuara nga Rusia në sulmet që u kryen gjatë natës në kryeqytetin Kiev, në qytetin e Dnipros dhe në rajonet lindore, thanë zyrtarët ukrainas.

Moska ka rritur sulmet e saj me raketa dhe dron mbi Ukrainë këtë muaj, duke vërë në cak kryesisht objektet logjistike dhe infrastrukturore përpara një kundërofensive të pritshme ukrainase, transmeton Telegrafi.

Forca ajrore ukrainase tha se kishte rrëzuar 10 raketa të lëshuara nga Deti Kaspik, 23 drone Shahed të prodhuar nga Irani dhe dy dronë zbulimi.

Ushtria tha se gjithsej 17 raketa dhe 31 dronë ishin lëshuar gjatë sulmeve, të cilat filluan rreth orës 22:00 mbrëmë dhe vazhduan deri në orën 5:00 të mëngjesit të sotëm.

Disa dronë dhe disa raketa goditën objektivat në rajonet Kharkiv dhe Dnipropetrovsk, thanë zyrtarët. Nuk kishte raportime për viktima.

“Ishte një natë shumë e vështirë. Ishte e zhurmshme – armiku nisi një sulm masiv në rajon me raketa dhe dronë”, tha Serhiy Lysak, guvernatori rajonal i Dnipropetrovsk, në Telegram. “Dnipro e ka pësuar keq”.

Zoti Lysak tha se disa shtëpi, makina dhe kompani private, duke përfshirë një kompani transporti dhe një pikë karburanti, ishin dëmtuar.

Zyrtarët në Kiev thanë se çatia e një qendre tregtare, një shtëpi private dhe disa makina ishin dëmtuar.

Guvernatori i rajonit të Kharkiv raportoi gjithashtu dëme në disa shtëpi dhe objekte industriale. /Telegrafi/

Exit mobile version