Site icon Telegrafi

Ukraina kërkon një armëpushim të menjëhershëm nga Rusia dhe tërheqje të trupave

Ukraina ka kërkuar një armëpushim të menjëhershëm rus dhe tërheqje të trupave pasi një delegacion i Kievit mbërriti për bisedime me negociatorët rusë në ditën e pestë të agresionit të Kremlinit mbi Ukrainë.

“Çështja kryesore e bisedimeve është një armëpushim i menjëhershëm dhe tërheqja e trupave nga Ukraina”, tha presidenca ukrainase në një deklaratë, përcjell Telegrafi.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha se bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë kishin filluar, menjëherë pasi pala ukrainase tha të njëjtën gjë.

Lexo po ashtu Gjithçka që ndodhi nga dita e pestë deri në ditën e shtatë të agresionit rus në Ukrainë

Ndryshe, delegacioni ukrainas ka mbërritur në zonën në kufirin ukrainas-bjellorusi për bisedime me Rusinë dhe tanimë bisedimet kanë filluar.

Siç edhe ishte bërë e ditur, delegacioni ukrainas përfshin, ndër të tjera, ministrin e Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, këshilltarin e shefit të zyrës së Presidentit të Ukrainës, Mykhailo Podoliak dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Mykola Tochytskyi.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky nuk është pjesë e delegacionit.

Ndërkohë, Bjellorusia ka thënë më herët se ka përgatitur një vend për të pritur delegacionet ukrainase dhe ruse, pasi agresioni i Moskës ndaj fqinjit të saj perëndimor hyn në ditën e pestë. /Telegrafi/

Exit mobile version