Sot është raportuar se një automjet që po transportonte dinarë serbë është ndaluar në pikëkalimin kufitar me Serbinë në Jarinjë, ndërkaq lidhur me këtë rast janë deklaruar edhe nga Dogana e Kosovës.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci në një deklaratë për Telegrafin tha se në pikë kalimin kufitar të Jarinjës janë paraqitur disa persona që pretendonin se përfaqësojnë ‘Komercijalna Banka’, e cila tashmë është mbyllur.
“Këta persona janë interesuar për procedurën e lëvizjes së parave të gatshme, të njëjtit janë udhëzuar që të ndjekin njoftimet e BQK derisa Dogana e Kosovës po ashtu zbaton normat e njëjta ligjore”, tha Stavileci.
Ndryshe, mediat në Serbi sot kanë raportuar se një automjet që po transportonte dinarë serbë është ndaluar në pikëkalimin kufitar me Serbinë në Jarinjë.
Më 1 shkurt 2024 ka hyrë në fuqi Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës e cila thekson se valuta e vetme në Kosovë është euro.
Kjo ka ngjallur edhe reagimin e faktorit ndërkombëtar. BE dhe SHBA ka kërkuar një periudhë tranzicioni për zbatimin e kësaj rregulloreje. /Telegrafi/