Site icon Telegrafi

Jeta e përmbysur: Çfarë flet kjo kullë me karrige, për luftën e Putinit?

Nga: Katy Hessel / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Në vitin 2003, mes muajve shtator dhe nëntor, 1500 karrige u mbërthyen në një pirg gjigant që mbushi boshllëkun mes dy ndërtesave në Stamboll. Ky instalacion që dukej sa i dhunshëm dhe në mënyrë shqetësuese po aq bosh, fliste për humbjen, për zinë, për mungesën dhe për shkatërrimin. Edhe pse sot ekziston në fotografi dhe në kujtesën e atyre që e dëshmuan këtë, kjo vepër na bën ta pyesim veten se nga erdhën gjithë këto karrige, kujt i përkisnin dikur dhe si ishte jeta e njerëzve që u ulën mbi to, si u mblodhën me të tjerët dhe çfarë biseduan. A u përmbys edhe jeta e tyre?

“Untitled” (“Pa titull”, 2003) u realizua nga Doris Salcedo, artistja me origjinë kolumbiane që u rrit gjatë konfliktit kolumbian – të betejës mes qeverisë, sindikatave të krimit, grupeve të ekstremit të djathtë dhe të ekstremit të majtë që nisën në vitin 1964. Puna e Salcedos shpeshherë fokusohet në përvojat njerëzore të luftës, apo në kufijtë e kotë që e mbajnë botën tonë të ndarë. “Jam artiste e botës së tretë”, tha ajo dikur, duke shtuar se e shikonte botën “nga perspektiva e viktimës, e njerëzve të mundur”.

Duke e vënë veprën “Untitled” në sferën publike, Salcedo e hapi atë për interpretimet e kalimtarëve të zakonshëm, duke i ftuar ata ta lidhin këtë pamje të pazakontë me përvojat e veta. Por, ajo e paraqet gjithashtu realitetin e përditshëm të të jetuarit përmes lufte: pasuritë e braktisura të mbetura pas arratisjes, vështirësia për të ikur, jetët e panumërta të humbura – një pafundësi e përhapur që depërton në ekzistencën e përditshme. Dhe, cili objekt mund të jetë më ndjellës për ekzistencën e përditshme, sesa një karrige e thjeshtë? Një pirg me 1 500 nga to duket sasi e madhe, por nuk është asgjë në krahasim me realitetin e popullsisë që ikën. “Untitled” bëhet varr masiv për njerëzit që dikur ekzistonin – dhe lulëzuan – në vendet që tani janë të shkreta.

Të vëna në shtresa, karriget janë të të gjitha llojeve të formave, të madhësive dhe ngjyrave të ndryshme; secila prej tyre zbulon diçka nga origjina e vet e veçantë. Është pamje që ia vlen ta kemi parasysh kur shohim masa të grumbulluara refugjatësh: që të gjithë këta janë individë me përvoja të veçanta. Edhe pse e instaluar nga një artiste kolumbiane dhe e vendosur në Stamboll, forca e veprës qëndron në faktin se qëllimi i saj duket shumë më i madh dhe se vazhdon të na flasë për situatat e reja.

Duke pasur parasysh datën e krijimit të veprës, mund të lexohet si adresim i luftërave brutale të fillimit të viteve 2000, ndërsa tmerri, pasiguria e saj mund të sugjerojë keqpërdorimin nga qeveritë e popullit, të atyre që presin në karrige – në mbarë botën – për t’u përpunuar nga zyrtarët e pakujdesshëm. Ndjesia mbizotëruese e trupave që mungojnë, jehon gjithashtu humbjen e jetëve nga koronavirusi ose, së fundmi, nga shkatërrimi i Ukrainës nga Putini. Është kjo e fundit që për momentin ndihet si më prekëse.

Teksa javën e kaluar kaluam gjashtëmujorin e fillimit të pushtimit, në 31-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës “Untitled” nuk mund të mos shihet si simbol i shkatërrimit të një vendi që dikur lulëzoi, por që ka qenë – dhe vazhdon të jetë – i copëtuar nga dhuna. Vetë formati duket se gjithashtu i bën jehonë mbulimit kontradiktor mediatik të luftës nga Perëndimi, teksa interesimi dhe zemërimi ngadalë fillojnë të pakësohen. E vënë mes dy ndërtesave në një rrugë të thjeshtë, puna është e dukshme vetëm nga lartë ose nga para. Ec anash dhe befas duket sikur “Untitled” nuk ka ekzistuar kurrë.

Plot kontradikta – e brishtë dhe e fortë, e zhurmshme dhe e qetë, e dukshme dhe e padukshme – vepra na kujton ata që u mohohet zëri, ose zërat e të cilëve nuk dëgjohen; ata janë njerëzit që shpesh vuajnë më shumë. Siç ka thënë Salcedo për veprën: “E thurur brenda strukturës së qytetit … thjesht qëndron në heshtje.”

“Untitlet”, megjithëse fillimisht duket kaotike, me karrige që duken sikur mund të përplasen në rrugë, është gjithashtu plot rregull: këto pjesë të mobileve ngrihen në mënyrë të përkryer në linjë me ndërtesat përreth, sikur po mbahen aty nga një mur i padukshëm. Kjo i hap një dimension tjetër luftës, diçka për të cilën foli Salcedo – anën “që është racionale, që është biznes … Në fund është kaotike, organike, e dhimbshme. Por, është menduar dhe planifikuar me ftohtësi”.

Duke i transformuar objektet dhe vendet që janë sinonim i jetës sonë të përditshme – nga puna tek ngrënia dhe shoqërimi – në nivel individual Salcedo na bën të kuptojmë se sa afër shkatërrimit janë jetët që bëjmë dhe se si ndikohemi nga kjo. Ajo merr një objekt të thjeshtë, funksioni i vetëm i të cilit është të akomodojë njeriun në rehati; e shumëfishon atë dhe më pas e bën të ndjerë. Rezultati, në rrugën e një qyteti që shtrihet në lindje dhe në perëndim, nuk na tregon vetëm mungesën e njerëzve, por edhe dobësimin e tyre. “Nuk është e rëndësishme të dish ngjarjen”, ka thënë Salcedo. “Nuk po e tregoj një histori të veçantë. Thjesht po i trajtoj përvojat”. /Telegrafi/

“Untitled” (2003), nga Doris Salcedo (foto: Sergio Clavijo)
Exit mobile version