Site icon Telegrafi

Twitter rikthen llogarinë e Kanye West tetë muaj pas pezullimit

Llogaria e Kanye West është rikthyer në Twitter pas një ndalimi pothuajse tetë muajsh për postimet fyese.

Reperi amerikan, i njohur si Ye, u akuzua për shkelje të rregullave të platformës që ndalojnë nxitjen e dhunës.

Ai nuk ka postuar asgjë të re që nga kthimi në faqe, të cilën pronari Elon Musk e ka riemërtuar në X.

Foto: Getty Images

Llogaria e Ye tregon tani postimin e tij të fundit më 1 dhjetor 2022, një ditë para se të pezullohej.

Musk tha në atë kohë se Ye kishte “shkelur rregullin tonë kundër nxitjes së dhunës” dhe se llogaria do të pezullohej.

Kjo erdhi pasi muzikanti postoi një seri postimesh fyese në Twitter.

Pezullimi pasoi një ndalim të ngjashëm dy muaj më parë, kur Ye fillimisht u mbyll nga llogaritë e tij në Twitter dhe Instagram pas postimit të mesazheve antisemitike në tetor. Të dyja platformat hoqën postimet e tij.

Në të njëjtin muaj, gjigandi i veshjeve “Adidas” ndërpreu lidhjet me reperin, duke thënë se “nuk toleronte antisemitizmin dhe çdo lloj tjetër gjuhe të urrejtjes”.

Ye u pezullua gjithashtu nga Instagrami për 24 orë në mars të vitit të kaluar pasi përdori një sharje racore në lidhje me komedianin Trevor Noah.

Lexo po ashtu Kanye West i mërzitur për thashethemet se Kim Kardashian po takohet me Tom Brady

As X dhe as pronari i tij miliarder Musk nuk kanë komentuar publikisht për rivendosjen e llogarisë së Ye të shtunën.

Musk rikthei llogarinë e ish-presidentit amerikan Donald Trump nëntorin e kaluar, pasi kreu një sondazh me 51.8% që votuan në favor të rivendosjes.

Por, Trump tha se nuk kishte interes të kthehej në platformë. /Telegrafi/

Exit mobile version