Presidenti Donald Trump, nuk ka lejuar nxjerrjen e një dokumenti të demokratëve të përgatitur si reagim ndaj raportit republikan me akuza për shkelje të FBI-së gjatë hetimeve mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016.
Në një letër të bërë publike dje, konsulenti ligjor i Shtëpisë së Bardhë, Don McGahn, thotë se presidenti ka vendosur të mos lejojë publikimin e dokumentit sekret të demokratëve, pasi “në të ka një numër paragrafësh sekretë dhe pasazhesh me informacion të fshehtë”, shkruan VOA.
Vetë Presidenti Trump shpjegoi më tej sot në Twitter, duke shkruar se “Demokratët dërguan një raport shumë të gjatë dhe shumë politik, për të cilin e dinin që për shkak të metodave dhe burimeve të përdorura do të duhej të redaktohej së tepërmi, duke ua mundësuar kështu që të fajësonin më pas Shtëpinë e Bardhë për mungesë transparence. U thamë ta rishkruajnë dhe ta dërgojnë në formën e duhur!”.
The Democrats sent a very political and long response memo which they knew, because of sources and methods (and more), would have to be heavily redacted, whereupon they would blame the White House for lack of transparency. Told them to re-do and send back in proper form!
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) February 10, 2018
Po dje, ligjvënësi demokrat Seny Hoyer shprehej se ishte “shumë shqetësuese që Presidenti Trump kishte bllokuar nxjerrjen e dokumentit të shkruar nga demokratët. Ligjvënësi shkruan më tej se presidenti nxori më 2 shkurt “një raport të njëanshëm, shumë çorientues të shkruar nga republikanët në Komisionin e Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, prandaj do të ishte me vend që t’u ofronte amerikanëve të gjitha faktet”.
Javën e kaluar presidenti autorizoi nxjerrjen e një raporti të republikanëve, në të cilin ngriheshin pretendime se FBI-ja kishte siguruar në mënyrë të parregullt një leje nga gjykata për të përgjuar Carter Page, ish-këshilltar për fushatën Trump dhe për të zbuluar lidhjet që kishte me rusët.
Letra e zotit McGahn, konsulenti ligjor i Shtëpisë së Bardhë, drejtuar kreut të Komisionit për Zbulimin të Dhomës së Përfaqësuesve, Ligjvënësit republikan Nunes, kërkonte që të bëheshin ndryshimet e duhura përpara se të publikohej dokumenti.
Ligjvënësi Nunes qarkulloi një deklaratë të premten, ku shprehej se “pata paralajmëruar që raporti i demokratëve përmbante shumë burime dhe metoda… Nuk është befasuese që agjensitë sugjeruan të mos publikohej pa u redaktuar”. /Telegrafi/