Të gjithë e dimë se ushtrimet fizike na ndihmojnë të jetojmë më gjatë duke i zvogëluar rreziqet e sëmundjeve të ndryshme dhe duke e përmirësuar shëndetin tonë mendor e fizik.
Por, cilat ushtrime mendoni se sjellin më së shumti përfitime shëndetësore? Një studim i ri ka zbuluar se tri sporte janë më të prirat t’ju sigurojnë jetë më të gjatë, transmeton Telegrafi.
Studimi, i cili është publikuar në British Journal of Sports Medicine, është përmbledhje e të dhënave nga pyetësorë të shëndetësisë që janë mbledhur nga më shumë se 80,000 njerëz në Angli dhe Skoci mes viteve 1994 dhe 2008.
Hulumtuesit i kanë përdorur ato të dhëna për t’i shikuar shprehitë e ushtrimeve fizike të secilit person dhe pastaj e kanë bërë lidhjen mes atyre ushtrimeve dhe rrezikut të vdekjes.
Lajmi i mirë është se të gjithë ata që pëlqejnë të bëjnë ushtrime fizike, pavarësisht se çfarë ushtrime, janë më të prirë të kenë rrezik më të vogël të vdekjes së parakohshme. Megjithatë, ekzistojnë tri sporte të veçanta që i shtojnë më së shumti vite jetëgjatësisë së njerëzve: tenisi, noti dhe ushtrimet aerobike.
Sportistët e tenisit kishin pasur 47 për qind më pak mundësi të vdesin, notuesit 28 për qind, ndërsa fansat e ushtrimeve aerobike – të cilat janë definuar si ushtrime të përgjithshme dhe gjimnastikë – kishin pasur 27 për qind më pak mundësi të vdisnin. /Telegrafi/