Telegrafi

Tregtonte mallra kontrabandë, shpallet në kërkim administratorja e postës private në Tiranë

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim administratoren e postës private, e cila tregtonte mallra të kontrabanduara dhe fshihte të ardhurat e përfituara nga ky aktivitet.

Policia ka sekuestruar 93 pako me mallra të ndryshme ku përfshihen veshje, produkte kozmetike, pajisje elektronike etj.

Janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas të punësuar për tregtimin dhe shpërndarjen e këtyre mallrave.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.

“Si rezultat i këtij operacioni u shpall në kërkim shtetasja A. D., 32 vjeçe, banuese në Tiranë, administratore e një poste private. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit L. M., 37 vjeç, A. K., 22 vjeç dhe A. A., 40 vjeç, të tre banues në Tiranë, punonjës të kësaj poste”, njofton policia.

“Gjatë kontrollit të magazinave të postës në administrim nga shtetasja A. D., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 93 pako me mallra të ndryshme (veshje, produkte kozmetike, pajisje elektronike etj), pa fatura tatimore shoqëruese apo deklarata doganore për origjinën e mallrave”, thuhet në njoftimin e policisë. /Telegrafi/