Site icon Telegrafi

Trajneri i Llapit, Batatina flet pas eliminimit nga Liga e Konferencës: Fituam përvojë, nuk na u akorduan dy penallti

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka thënë se ekipi i tij ka fituar një përvojë të madhe me paraqitjen në garat evropiane, por në fund u ankua edhe për gjykimin.

Llapi barazoi 1-1 me Shkupin në ndeshjen e dytë në Prishtinë, por u eliminua në raundin e parë të Ligës së Konferencës me rezultatin e përgjithshëm 3-1, pasi në ndeshjen e parë pësoi humbje në udhëtim 2:0.

“Është hera e parë që u paraqitëm në garat e Evropës dhe fituam përvojë të madhe. Përkundër që u eliminuam, ne treguam se futbolli i Kosovës ka ecur përpara”.

“Patëm një paraqitje të mirë dhe futbollistët e dhanë maksimumin nga vetja. Në pjesën e parë luajtëm shumë mirë, por nuk arritëm të shënojmë dhe kjo na penalizoi në pjesën e dytë”.

“Shkupi më shumë ka luajtur në pjesën defanzive derisa ne kemi sulmuar vazhdimisht. Ne i kemi humbur dy ndeshjet nga Shkupi, por treguam se ishim shumë ekip më i mirë”.

“Po ashtu, na mungoi edhe fati pasi nuk shfrytëzuam rastet që i patëm”, tha Batatina që shtoi se ekipi i tij u dëmtua për dy penallti. /Telegrafi/

Exit mobile version