Thirrje e hapur për trajnim në fushën e gazetarisë, (Mobile Journalism) në Pejë, Prizren dhe Gjakovë.
Zhvilloni aftësitë tuaja në gazetari, Mobile Journalism dhe raportim: Aplikoni Tani!
Në bashkëpunim me Pixels dhe Shqip AI, Telegrafi hap dyert për trajnimin ekskluziv në Gazetari Mobile (Mobile Journalism), një mundësi e mirë për media lokale, OJQ-të, freelancer dhe studentë me ambicie për gazetarinë dhe teknologjinë. Zgjeroni horizontet tuaja profesionale në rajonin e Pejës, Prizrenit dhe Gjakovës përmes një programi intensiv, që premton të transformojë qasjen tuaj ndaj raportimit medial dhe video gazetarisë mobile.
Çfarë ofrojmë?
Trajnime të drejtuara nga ekspertët:
Mësoni nga profesionistë me përvojë të gjatë ne sektorin e mediave dhe teknologjisë.
Trajnimi është dizajnuar posaçërisht për të ngritur ekspertizën tuaj në gazetari mobile (Mobile Journalism), zhvillim të përmbajtjes, prodhim të videove, monetizim të përmbajtjes dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në prodhimin mediatik. Trajnimet do të zhvillohen në bashkëpunim të Telegrafi, Pixels dhe Shqip AI.
Përvojë praktike: Mësoni duke bërë. Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të shkruajnë dhe xhirojnë storien e tyre të lajmeve nën mentorimin e trajnerëve tanë. Këta artikuj do të publikohen dhe do t’u jepet hapësirë e shtuar në platformat e Telegrafit.
Mirënjohje dhe shpërblime: Përveç njohurive, pjesëmarrësit do të marrin kompensim për punën e tyre. Ndërsa në fund, tre lajmet/artikujt me video më të mirë do të zgjidhen nga juria profesionale dhe do të shpërblehen me çmime prej 400, 200 dhe 100 euro, respektivisht.
Informata shtesë
Vendndodhja:
Trajnimi do të zhvillohet në shtatë rajonet kryesore, por fillimisht në Pejë, Prizren dhe Gjakovë.
Kohëzgjatja dhe gjuha:
Sesioni i trajnimit do të zgjasë një ditë dhe është planifikuar të mbahet gjatë muajve maj dhe qershor 2024. Trajnimi do të mbahet në gjuhën shqipe.
Numri i pjesëmarrësve:
Për të garantuar një cilësi të lartë trajnimi, numri do të jetë i kufizuar në 10 pjesëmarrës për secilën rajon.
Kush mund të aplikojë?
Ky trajnim është ideal për gazetarë/gazetare, individët dhe studentët që dëshirojnë t’i përmirësojnë aftësitë e tyre gazetareske dhe aftësitë e prodhimit të përmbajtjes digjitale. Ne vlerësojmë diversitetin dhe barazinë, prandaj inkurajojmë aplikimet nga gratë, të rinjtë dhe individët nga komunitetet jo-shumicë.
Si të aplikoni
Aplikantët e interesuar ftohen të dërgojnë CV-në e tyre në info@telegrafi.com, muhamet.hajrullahu@telegrafi.com. Ekipi i Telegrafit do t’ju kontaktojë për t’ju njoftuar për statusin e aplikimit tuaj dhe për t’ju dhënë detaje rreth datës dhe orës së trajnimit.
Afati i aplikimit
Ju lutemi sigurohuni që aplikimi juaj të dorëzohet deri më datën 20.04.2024. Vendet janë të kufizuara dhe pjesëmarrësit do të zgjidhen bazuar në CV tuaj.
Mos e humbisni këtë mundësi për të ngritur aftësitë tuaja në prodhimin mediatik dhe për të bërë një ndikim të rëndësishëm në komunitetin tuaj.
(Ky projekt mundësohet nga Programi #SustainMedia, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, zbatuar nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Telegrafit dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e BE-së apo Qeverisë Gjermane).