Një anëtar kyç i kabinetit ushtarak në Izrael ka akuzuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se nuk ka thënë të vërtetën për qëllimet ushtarake të vendit në Rripin e Gazës.
Netanyahu ka hedhur poshtë publikisht shtytjen e SHBA-së për një shtet të ardhshëm palestinez dhe këmbënguli se ofensiva do të vazhdojë “deri në fitoren e plotë”, transmeton Telegrafi.
Por, Gadi Eisenkot – djali i të cilit u vra duke luftuar në Gaza – tha se ata që mbrojnë “mposhtjen absolute” të Hamasit nuk po e “thonin të vërtetën”.
Gjenerali në pension deklaroi gjithashtu se Netanyahu ndante “përgjegjësinë e mprehtë dhe të qartë” për dështimin në mbrojtjen e vendit të tij më 7 tetor dhe kërkoi zgjedhje të reja, duke thënë se nuk kishte “asnjë besim” në udhëheqjen aktuale të Izraelit.
Hamasi vrau rreth 1,300 njerëz dhe mori 240 pengje në sulmin e befasishëm në Izraelin jugor më 7 tetor.
Tensionet brenda kabinetit nga ku Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant mezi flasin mes vete, vijnë pasi hendeku midis Izraelit dhe aleatëve të tij perëndimorë zgjerohet.
Pas komenteve Netanyahu për mos-krijimin e shtetit palestinez, këshilltari i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli “qartësisht i shohin gjërat ndryshe”. /Telegrafi/