Site icon Telegrafi

Të gjithë herët kur Kardashians u veshën nga stilistë shqiptarë

Nëse ka një familje në planet që ka të gjitha mundësitë e botës për të investuar në veshje, pamje, blerje të reja apo asete, le të biem dakord se një syresh prej tyre është Kardashians

Familja e milionereve, për sa kohë që secila prej tyre është një pasuri me shumë zero pas, imagjino të gjitha bashkë! Këtë herë, nuk jemi këtu për të numëruar milionat e vajzave Kardashians, por herët që ato kanë zgjedhur të vishen nga stilistë shqiptarë.

Ato kanë treguar disa herë në historitë e daljeve të tyre publike se sytë u kanë mbetur te punimet e stilistëve shqiptarë, nga Valdrin Sahiti, te Nensi Dojaka, Lena Berisha apo Lirika Matoshi. Kryevepra artisike që janë “derdhur” në trupat e Kardashians për të shkëlqyer në tapetet e kuqe apo ngjarje të mëdha të modës, filmit, muzikës etj. Sepse Kardashians duan stilistë më pak të njohur, por me veshje autentike që nuk i gjen rrotull stilit të tyre modern të jetës. Pra, modele të dedikuara dhe të krijuara posaçërisht për secilën prej gocave të familjes së famshme Kardashians.

Ne po ju rikujtojmë disa momente ndër vite se kur ato kanë zgjedhur veshje të punuara nga duart e stilistëve shqiptarë.

Khloe Kardashian postoi në Instagram një set fotosh me një fustan mahnitës të argjendtë nga stilistja shqiptare, Lena Berisha.

Kim Kardashian në kopertinën e revistës “CR Fashion Book” zgjodhi reçipeta të zeza, prej tyli dhe me një lule të qëndisur nga duart e stilistes shqiptare, Nensi Dojaka.

Në premierën e filmit “The Kardashians” në prillin e vitit të kaluar, Khloe Kardashian zgjodhi një fustan nga Valdrin Sahiti.

Kendall Jenner u shfaq me një veshje të Nensi Dojakës për after party-n e Met Gala.

Në publikimin e koleksionit “Kylie Baby”, miliarderja Kylie Jenner bashkë me të bijën zgjodhën një krijim nga Valdrin Sahiti, citon Anabel.

Kim Kardashian, kur e bija North ishte shumë e vogël, preferoi një palë geta nga stilistja shqiptare Lirika Matoshi për vogëlushen e saj.

/Telegrafi/

Exit mobile version