Site icon Telegrafi

Tarantino dhe gruaja e tij 20 vjet më e re janë në pritje të fëmijës së dytë

(Foto: People/Getty)

Pasi u bë baba për herë të parë në moshën 56-vjeçare, një lajm i mirë vjen nga shtëpia e regjisorit të famshëm, Quentin Tarantino.

Filmbërësi dhe gruaja e tij 20 vjet më e re, Daniella Pick (vajza e kantautorit izraelit, Svike Pick), do të bëhen prindër për herë të dytë. Lajmin e ka konfirmuar përfaqësuesi i tij për People.

Çifti u takua në vitin 2009 kur regjisori po punonte për promovimin e filmit “Inglourious Basterds” në Izrael. Ata u fejuan në qershor 2017 dhe u martuan një vit më vonë në një ceremoni intime në Los Angeles.

(Foto: People/Getty)

Në shkurt të vitit 2020, çifti solli në jetë fëmijën e tyre të parë, djalin Leo, për të cilin u komentua se Tarantino e emëroi fëmijën sipas Leonardo DiCaprios me të cilin pati disa bashkëpunime, mirëpo ai i mohoi këto pretendime.

Lexo po ashtu Quentin Tarantino bëhet baba për herë të parë në moshën 56-vjeçare

“Nuk ka asgjë të keqe në këtë, por emri i tij e ka marrë sipas gjyshit të gruas sime, por edhe sepse në zemrën tonë ai ishte një luan. Kështu mendonim për të”, ka shpjeguar filmbërësi legjendar, i cili më 27 mars do t’i mbushë 59 vjet.

Kujtojmë, artisti më parë ishte i fokusuar vetëm në karrierën e tij, duke pretenduar se martesa dhe fëmijët mund të ndërhynin në të gjithë procesin. Por, kohët duket se po ndryshojnë dhe kështu ka ndryshuar edhe qëndrimi i tij. /Telegrafi/

Exit mobile version