Site icon Telegrafi

Sylvinho me risi në listë, katër emra të rinj dhe katër që mungojnë nga grumbullimi i fundit

Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho publikoi listën me emrat e 27 futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet kualifikuese për Euro 2024 në muajin qershor, fillimisht më datë 17 në shtëpi ndaj Moldavisë dhe pas tre ditësh në udhëtim ndaj Ishujve Faroe.

Janë disa risitë e teknikut italian teksa rikthimi më i bujshëm lidhet me Armando Sadikun.

Sulmuesi që aktivizohet me Cartagenën në LaLiga 2, i mungonte kuqezinjve prej ndeshjes së Ligës së Kombeve ndaj Lituanisë më datë shtatë shtator të vitit 2020.

Në atë sfidë të humbur elbasanasi ishte në fushë përgjatë gjithë 90 minutave në disfatën 0-1. Tashmë, Sadiku do të provojë t’i japë sërish një dorë kuqezinjve në rrugën drejt Euro 2024.

E për dallim nga lista e fundit që ishte përgatitur për ndeshjen me Poloninë, tekniku Sylvinho përveç Sadikut rikthen Keidi Baren e rikuperuar nga lëndimi, Berat Gjimshitin, po ashtu edhe sulmuesin e Legias së Varshavës, Ernest Muçin si dhe portierin Simon Simoni të Eintracht Frankfurt që për herë të parë do të jetë pjesë e një ndeshje zyrtare me Shqipërinë, pasi më parë ka marrë pjesë vetëm në seancat stërvitore.

Pa harruar këtu edhe Mario Mitajn, mbrojtësin 19-vjeçar që aktivizohet në Rusi me Lokomotivën e Moskës në elitën e futbollit rus.

Lexo po ashtu Sylvinho publikon listën e Shqipërisë për dy ndeshjet e muajit qershor

Ndërkohë në këtë grumbullim nuk janë më emra si Jon Mersinaj, Lindon Selahi, Marash Kumbulla që është aktualisht i lënduar si dhe Ermir Lenjani.

Më datë pesë qershor, trajneri Sylvinho do të dalë në një konferencë për shtyp ku do të flasë më me detaje për dy ndeshjet e qershorit. /Telegrafi/

Exit mobile version