Në fund të këtij muaji, bëhet një vit që kur institucionet e sigurisë në Kosovë, dëbuan për në Turqi gjashtë shtetas turq. Gjatë këtij veprimi, është konstatuar se janë bërë shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Komisioni Hetimor Parlamentar, që u formua për të hetuar se çfarë kishte ndodhur me rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, kishte evidentuar 31 shkelje.
Xhelal Sveçla, kryetar i komisionit hetimor parlamentar për dëbimin e shtetasve turq ka thënë se i kanë mirëpritur deklaratat e Ambasadës Amerikane dhe mbështetjen e Ambasadës Gjermane dhe asaj Britanike për punën e komisionit në lidhje me dëbimin e gylenistëve.
Në një prononcim për Telegrafin, Sveçla ka thënë se në punën e tyre si komision kanë gjetur shkelje të ndryshme.
Ndërsa, zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha tha se hetimet për këtë rast kanë filluar vitin e kaluar.
“Prokuroria Speciale e ka hapur rastin, qysh vitin e kaluar, është duke mbledhur prova prokurori i rastit edhe raporti i komisionit parlamentar që është dorëzuar në Prokurori, do të jetë pjesë e lëndës”, tha Hoxha, për REL.
Lidhur me presionin mbi punën e këtij komisioni, ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
Përmes një deklarate për media, kjo ambasadë tha se “ka kaluar një vit që kur Kosova i ka dëbuar gjashtë shtetas turq, pa një proces të duhur, duke pretenduar se kërcënonin sigurinë kombëtare”. /Telegrafi/