Site icon Telegrafi

Subvencionimi i teksteve shkollore, dorëzohet kallëzim penal ndaj ministres Nagavci

Deputetët opozitarë kanë dorëzuar sot në Prokurorinë Speciale, kallëzim penal ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.

Kallëzimi u dorëzua nga anëtarët e Komisionit Hetimor për Tekstet Shkollore, me arsyetimin se subvencionimi i teksteve shkollore nga MASHTI ka shkelje ligjore.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, njëherit anëtar i këtij komisioni, u shpreh se nga procesi i intervistimit që kanë bërë kanë gjetur mjaft shkelje ligjore lidhur me subvencionimin e teksteve shkollore për vitin 2023-2024,

“Komisioni Hetimor ka përmbyllur një proces të intervistimit në prani të ekspertëve të emëruar nga ana e mazhorancës dhe opozitës dhe ky proces është përmbyll me një raport final që ka mjaft të gjetura të shkeljeve ligjore dhe ka bazë për hetim të mëtejmë nga Prokuroria lidhur me përgjegjësinë e individëve që janë marrë me këtë proces”, tha Dreshaj.

Ai shtoi se bazuar në këto të dhëna Komisioni Hetimor përkundër faktit që në tri mbledhjet e fundit mazhoranca nuk ka marrë pjesë nuk është votuar në komision, kanë marrë iniciativë që këtë draft ta deponojnë për hetim të mëtejmë në Prokurorinë Speciale.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati u shpreh se ka mjaft shkelje ligjore dhe bazë të mjaftueshme për vepër penale.

“Është ndikuar edhe në transaksione të ndryshme ku ka mundësi që dikush që jeton jashtë shtetit i ka marrë të hollat e nuk i kanë fëmijët këtu në shkollë, ose ka pasur të atillë që nuk i kanë marrë të hollat fare”, tha Kastrati.

Sivjet ka qenë hera e dytë që Ministria e Arsimit ka subvencionuar blerjen e teksteve shkollore. Kjo ishte bërë me arsyetimin që të mos ketë keqpërdorim të parasë publike.

Viteve paraprake MASHTI siguronte tekstet shkollore dhe i dorëzonte nëpër shkolla. /Telegrafi/

Exit mobile version