Telegrafi

Skandali me ambasadorin, Abdixhiku: Kjo është arsyeja për mosformimin e Komisionit hetimor për energjinë

Foto: Arkiv

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku sot ka thënë se shpërthimi i skandalit me ambasadorin në Slloveni, Martin Berishaj dhe tani zgjerimi i tij edhe në rajon, është arsyeja e vërtetë e rezistencës së pushtetit ndaj formimit të Komisionit Hetimor në Kuvend.

Abdixhiku në një postim në Facebook shkruan se ky skandal, dhe të tjera skandale të renditura në shpenzimin e plot 120 milionë eurove edhe shtrenjtimin e faturave deri në 100%, duhet të gjejnë dritë.

Lexo po ashtu Ambasadori Berishaj i quan shpifje akuzat se është i përfshirë në një skandal financiar: Padia ime i hapë rrugë fjalës së fundit në gjykatë

Lexoni të plotë postimin:

Shpërthimi i skandalit me ambasadorin në Slloveni dhe tani zgjerimi i tij edhe në rajon, është arsyeja e vërtetë e rezistencës së pushtetit ndaj formimit të Komisionit Hetimor në Kuvend.

Asnjë arsyetim refuzues i tyre nuk kishte kuptim. As arsyetimi i luftës në Ukrainë, prandaj – merreni me mend – s’duhej të bëhej ky hetim; as preteksti i ligjshmërisë së nënshkrimeve nuk kishin kuptim. Vetëm një hall i madh prodhonte arsyetime të pashpresa si këto.

Lexo po ashtu U raportua për përfshirjen e ambasadorit në skandal financiar, presidentja Osmani kërkon raport nga Berishaj - Qeveria kërkon kujdes ndaj pretendimeve

Por sa më i zëshëm refuzimi i tyre, aq më i domosdoshëm bëhej insistimi ynë. Sot, hetimi parlamentar nuk ka alternativë. Ky skandal, dhe të tjera skandale të renditura në shpenzimin e plot 120 milionë eurove edhe shtrenjtimin e faturave deri në 100%, duhet të gjejnë dritë. Kriza energjetike është një piramidë keqmenaxhimi, neglizhence e tani dhe krimi. Këtë piramidë duhet dhe do ta shembim të gjithë.

Bojkoti ynë votues në Kuvend, nuk merr fund pa formimin e Komisionit Hetimor për Energji. Sepse s’ka ligj, s’ka temë e s’ka çështje tjetër më me rëndësi se sa kjo me energji. Do ta zbardhim të vërtetën herët apo vonë. Deri atëherë, tërheqja e menjëhershme e ambasadorit të komprometuar tani, formimi i Komisionit Hetimor, e shkarkimi i Bordit të Rregullatorit – që ende refuzon vendimin e Gjykatës rreth tarifave – janë hapa të parë në këtë drejtim. /Telegrafi/