Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme në shumë komuna, duke shkaktuar kështu përmbytje e vështirësi në qarkullim.
Me një situatë të tillë po përballet edhe komuna e Mitrovicës.
Kryetari i kësaj komune, Bedri Hamza në një prononcim për Telegrafin ka thënë se gjendja është shqetësuese dhe se te katër lumenjtë e qytetit është rrit niveli i ujit.
“Situata është kogja shqetësuese, Mitrovica ka katër lumenj dhe tek të gjithë është rritë niveli i ujit. Jemi me disa ekipe në terren duke intervenuar, për momentin jemi te lumi i Lushtës pasi që është këputë një urë dhe rrezikon të bllokojë tunelin ku shkon. Jemi duke e bërë maksimumin, por megjithatë niveli i ujit është shumë i lartë”, tha Hamza.
I pari i Mitrovicës shtoi se deri më tani nuk ka familje që janë evakuuar shkaku i reshjeve, derisa shtoi se nëse vazhdon shiu situata do të jetë vështirë të menaxhohet.
“Tash për tash nuk ka familje që janë evakuuar, por nëse vazhdojnë reshjet nuk është situatë që është lehtë me u menaxhua dhe me u mbajt në kontroll”, tha Hamza.
Telegrafi më herët ka raportuar për situatën në Mitrovicë, e po ashtu edhe në komunat e tjera. /Telegrafi/