Site icon Telegrafi

Sindikata e Ushtrisë serbe: Konkursi për pranimin e kadetëve të rinj është një realitet se ka largime masive nga forcat e armatosura

Sindikata e Ushtrisë së Serbisë ka thënë se konkursi i publikuar nga Ministria e Mbrojtjes që drejtohet nga Millosh Vuçeviq për pranimin e kadetëve të rinj është një realitet se ka largime masive të personelit nga forcat e armatosura.

Në një reagim publik, kjo sindikatë ka theksuar se në medie shpesh shihen reklama që ftojnë të rinjtë të punësohen në “punët e ëndrrave” në Ushtrinë serbe dhe se duhet shtruar pyetja se cili është problemi dhe pse ka largime masive nga kjo “punë e ëndrrave”.

“Puna në çdo ushtri duhet të jetë privilegj i vetëm atyre që janë të aftë mbi mesataren për të përmbushur kriteret e përcaktuara, për persona me cilësi të larta morale dhe patriotë të vërtetë. Fatkeqësisht, për momentin nuk është kështu. Ushtria është kthyer në dhomë pritjeje për pension apo kurth për ata që janë informuar përmes medieve përkatëse apo faqes së Ministrisë së Mbrojtjes”, thuhet në reagimin e kësaj sindikate.

Kjo sindikatë ka shtuar se ekziston keqmenaxhimi në sistemin e mbrojtës të Serbisë.

“Punonjësit në Forcat e Armatosura të Serbisë marrin paga shumë më të ulëta se ato të garantuara me ligj, ata nuk kanë të drejtë për ushqim të ngrohtë dhe pushime edhe pse kjo është e parashikuar me ligj, ata shpesh paguajnë transportin për në dhe nga vendi i punës. Nuk kanë kushte adekuate të punës, punojnë më shumë se orët e parapara me ligj që më parë kanë qenë të papajtueshme me profesionin e ushtarakut”, vijon reagimi.

Në fund, thuhet se ngacmimet seksuale dhe abuzimi me pozitat zyrtare vazhdojnë të tolerohen nga oficerët e lartë.

“Gënjeshtrat, poshtërimet, ngacmimet seksuale dhe abuzimi me pozitat zyrtare po tolerohen nga oficerët e lartë”, përfundon sindikata. /Telegrafi/

Exit mobile version