Shtëpia e Bardhë ka publikuar raportin vjetor të Kompetencave të Luftës rreth dislokimeve të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të pajisura për luftim.
Në kuandër të këtij raporti, SHBA ka publikuar një pjesë edhe për Republikën e Kosovës.
Aty thuhet se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kontribuojnë me forca në Forcën e Kosovës (KFOR), të udhëhequr nga Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut në bashkëpunim me autoritetet lokale, partnerët dypalësh dhe institucionet ndërkombëtare, për të penguar armiqësitë e ripërtërira në Kosovë.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, 591 personel ushtarak të Shteteve të Bashkuara janë në mesin e rreth 3.800 pjestarëve të KFOR-it në Kosovë.
Trupat e KFOR-it, që janë nga 27 shtete të botës, kanë për mandat që të ofrojnë mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Mandati i tyre buron nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e miratuar më 10 qershor 1999, një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes Teknike të Kumanovës.
Kjo marrëveshje parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare.
Ajo u nënshkrua midis KFOR-it dhe autoriteteve të ish-Jugosllavisë, duke i dhënë fund bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe.
Numri i ushtarëve të KFOR-it në Kosovë ndër vite është zvogëluar, pas përmirësimit të situatës në veri.
Por, pas rritjes në veri të Kosovës në fund të majit, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka njoftuar për rritjen e numrit të trupave, duke shtuar se numri i tyre mund të rritet edhe më shumë, për të qetësuar dhunën në veri./Telegrafi/