Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, dënoi dhunën në kryeqytetin e Brazilit, Brasília, nga mbështetësit e Bolsonaros pasi ata sulmuan disa ndërtesa të qeverisë federale.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë çdo përpjekje për të minuar demokracinë në Brazil. Presidenti (Joe) Biden po ndjek nga afër situatën dhe mbështetja jonë për institucionet demokratike të Brazilit është e palëkundur. Demokracia e Brazilit nuk do të tronditet nga dhuna”, ka shkruar Sullivan në Twitter, përcjell Telegrafi.
Ndërkohë një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare ka thënë se Biden është informuar për situatën dhe do të vazhdojë të marrë njoftime.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken gjithashtu ka reaguar, duke thënë se SHBA kërkon një fund të menjëhershëm të dhunës.
“Ne dënojmë sulmet ndaj Presidencës, Kongresit dhe Gjykatës së Lartë të Brazilit sot. Përdorimi i dhunës për të sulmuar institucionet demokratike është gjithmonë i papranueshëm. Ne i bashkohemi presidentit Lula për të kërkuar një fund të menjëhershëm të këtyre veprimeve”, shkroi Blinken në Twitter.
Ndryshe, mbështetësit e ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro sulmuan ndërtesën e Kongresit Kombëtar në Brasilia të dielën.
Siç kanë raportuar mediat, qindra njerëz pushtuan ndërtesën, duke bërë thirrje për ndërhyrje ushtarake për të rrëzuar presidentin Luiz Inacio Lula da Silva. /Telegrafi/