Kryeministri Edi Rama ka komentuar vendimin për të dalë në kundërshtim me një deklaratë të politikës së jashtme të BE-së, sa i përket situatës së Kosovës dhe Serbisë.
Në një konferencë për mediat të mbajtur në Romë me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm italian, Antonio Tajani, kreu i qeverisë tha se dalja kundër deklaratës së bërë nga Borrel, më 19 shtator, lidhet me faktin se ai qëndrim nuk reflekton problematikën e krijuar në veri në ditët e fundit.
“Qëndrimi ynë për herë të parë në kundërshtim me një deklaratë të politikës së jashtë të BE-së. Ky qëndrim lidhet me faktin se deklarata e BE-së, është një deklaratë e cila jo se në vetvete ka problem, pasi adreson gjithçka që është thënë më parë nga Borrell, në lidhje me detyrimet e Kosovës. Por nuk i përgjigjet realitetit të ditëve të fundit. Nuk mund të linjëzohemi me BE-në, pa parë një deklaratë të dytë që adreson problematikën e ditëve të fundit. Ku ka ndodhur një zhvillim dramatik. Është vrarë një efektiv i policisë së Kosovës nga një grup kriminal që ka qenë i investuar. Kjo për ne është e papranueshme. E dënueshme. Joevropiane dhe sepse është sinjali më i keq që mund të jepte Serbia në këtë moment”, tha Rama.
“BE-ja të vërë alarmin në nivelin më të lartë. Të përdorë të gjithë instrumentet në dispozicion për t’i kthyer mesazhin e duhur, këtij mesazhi krejtësisht të paparanueshëm që vjen nga shpallja e zisë kombëtare në Beograd. Derisa të ketë një deklaratë të dytë për të vendosur me drejtësi një gjykim për ditët e fundit, ne nuk do të linjëzohemi me deklaratën e parë. Në këtë pikë, linja jonë është 100 për qind e BE-së, por është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës dhe me atë që ka ndodhur në Beograd”, ka shtuar Rama.
Burime pranë qeverisë zbulojnë se ka qenë pikërisht deklarata e shefit të politikës së jashtme të Unionit, Joseph Borrell, që i trajtonte të dyja palët njësoj, çfarë ka sjellë edhe mospajtimin e Tiranës zyrtare, e shprehur kjo në rrugë diplomatike.
Kritikat e Brukselit si ndaj Kosovës, ashtu edhe ndaj Serbisë, janë arsyeja kryesore që kanë detyruar Shqipërinë të mos mbështesë qëndrimin e Bashkimit Evropian, në kushtet kur Tirana vëren se me zhvillimet e fundit faji peshon në krahun e Beogradit. /Telegrafi/