Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishte vizituar vetë i gjashti.
Për 18 ditë me radhë kryeministri Kurti kishte zhvilluar takime me zyrtarë shtetërorë, udhëheqës të ndërmarrjeve, përfaqësues të organizatave të ndryshme si dhe komunitetin shqiptaro – amerikan.
Por kjo vizitë kishte edhe kosto, kjo pasi për mëditje, akomodim, bileta e shpenzime tjera, Qeveria e Kosovës shpenzoi 36 mijë e 722 euro e 47 cent.
Kryeministri i vendit nuk pranoi të merrte mëditje, mirëpo ai shpenzoi 4 mijë e 279 euro për bileta udhëtimi.
E shpenzimet për akomodim në hotele të ndryshme në ShBA ishin pak më të mëdha.
Kreu i Qeverisë përgjatë 18 ditëve, akomodimi në hotele të ndryshme i kishte kushtuar 4 mijë e 853 euro e 68 cent, ndërsa shpenzime tjera kishte pasur 172 euro e 12 cent.
E hiq më pak nuk kishte shpenzuar shefi i kabinetit të Kryeministrit, Luan Dalipi.
Por për dallim nga kryeministri, Dalipi nuk i refuzoi mëditjet, duke marrë hiq më pak se 1 mijë e 617 euro mëditje.
Shpenzimet për akomodim, Dalipi i kishte pak a shumë të njëjta me Kryeministrin, akomodim ky i cili i kushtoi buxhetit të Kosovës 4 mijë e 770 euro e 97 cent.
E shpenzime më të vogla shefi i kabinetit të Kurtit i kishte në bileta, për të cilat kishte shpenzuar 2 mijë e 984 euro e 75 cent.
Shpenzime të njëjta me kryeministrin dhe shefin e kabinetit pati edhe fotografi i zyrës së Kryeministrit Patrik Domi, i cili përgjatë 18 ditëve qëndrimi në SHBA e varfëroi buxhetin për 9 mijë e 413 euro e 39 cent, që ishte për 108 euro e 59 cent më shumë se kryeministri Kurti.
Shpenzime më të vogla patën këshilltarët politikë të Kurtit Tien Mu dhe Lulëzon Jagxhiu dhe regjisori i fushatës së Kurtit në zgjedhje, Arun Chaudhary.
Për akomodim, bileta e mëditje, të tre bashkë shpenzuan 8 mijë e 523 euro e 34 centë.
Vizita e Kurtit në ShBA kishte filluar më 6 maj, dhe për 18 ditë, i shoqëruar nga anëtarë të stafit ai vizitoi biznese të ndryshme por edhe komunitetin shqiptaro amerikan. /PortaliD/