Site icon Telegrafi

Shpallet fituesi i emisionit “Detektivi”

Të martën e 12 korrikut, fundi i sezonit të tretë të emisionit “Detektivi” erdhi.

Emisioni që transmetohej çdo të martë, me fillim nga ora 20:05 në RTV Dukagjini, me moderatore Edita Doli, këtë mbrëmje solli Egzona Bytyqin si fituese të këtij edicioni.

Në një ambient me familjarë të finalistëve e me finalisten e sezonit të kaluar, Xheraldina Rexhepi, ky sezon pati një garë të ngjeshur mes finalistësh të natyrave të ndryshme.

E këtë garë, me një logjikë të jashtëzakonshme e fitoi kandidatja Egzona Bytyqi.

Egzona Bytyqi, fituese e sezonit të tretë të emisionit “Detektivi”

Në një garë të ngushtë Egzona ishte me finalistin Sylejmani, i cili kishte përgjigjen e saktë por ishte në disavantazh me shtypjen e butonit të cilën e rrëmbeu Egzona.

Sylejmani, Egzona dhe Merkuri si finalistë të sezonit të emisionit “Detektivi”

Ndërsa pjesë e këtij paneli të finalistëve ishte edhe Merkuri.

Egzona si shpërblim në këtë garë mori një makinë të tipit ‘Dacia’, e që pararendëse e saj në sezonin e dytë fituese ishte Xheraldina Rexhepi, ndërsa fitues në sezonin e parë ishte Diar Kabashi.

Sylejmani, Egzona dhe Merkuri si finalistë të sezonit të emisionit “Detektivi”

Si prodhim i televizionit Dukagjini, emisioni ”Detektivi”, ani pse me të njëjtën tematikë, çdo sezon u konsiderua si kuizi më atraktiv në vend.

Ndër edicione, pjesë e kuizit janë përzgjedhur personat që kanë kaluar fazën e testimit, duke u përgjigjur në pyetjet logjike.

Me përgjigjet e sakta, ata kanë hyrë në garën për çmimin e madh.

Gjithashtu, përpos çmimit kryesor, në këtë sezon ka pasur shpërblime edhe për gjysmëfinalistë dhe finalistët e mbetur të garës.

Pas tri sezoneve të garës, me shumë emocione dhe me shikueshmëri të lartë, “Detektivi” përfundon duke lënë mbresa në çdo familje deri në edicionet e ardhshme.

Exit mobile version