Suhareka këtë vit është ngjitur në elitën e futbollist kosovar dhe nisja e tyre ka qenë e shkëlqyer.
Një barazim pa gola me Prishtinën në “Fadil Vokrri”, pastaj një fitore e pastër ndaj Dukagjinit me rezultat 3-1.
Pa dyshim që lojtari kryesor në këtë dy ndeshje ka qenë kapiteni, Mevlan Zeka, i cili në ndeshjen e fundit arriti të shënojë dy gola, duke qenë pa dyshim ylli i javës së dytë.
Në një intervistë për Telegrafin, sulmuesi gjakovar që është futur në historinë e Suharekës me dy golat e parë për këtë klub si në Ligën e Parë ashtu edhe në Superligën e Kosovës, ka folur për gjithçka rreth klubit.
“Po e kemi nisur shumë mirë edicionin e ri 2024/25 në Superligë. Jemi përgatitur shumë mirë me skuadrën në Bullgari dhe Maqedoni, sepse gjithë e dimë që Superliga ka më shumë ndeshje dhe rivalitet më të fort. Fokusi duhet te jetë 100 qind në çdo ndeshje. E kam pritur këtë start, sepse mundi dhe sakrifica gjithmonë dhe padyshim që shpërblehen”, ka thënë fillimisht Zeka.
Sulmuesi këmbëshpejtë për vite me radhë ka qenë emër i njohur i elitës së futbollit kosovar, duke bartur fanëllen e klubeve si Ballkani, Gjilani, Feronikeli, Liria e Vëllaznimi, ndërsa vitin e shkuar vendosi të kalojë te një klub sapo i krijuar, për ta ndihmuar të ngjitet në elitë. Ai u bë pastaj pjesë e historisë së këtij klubi, duke shënuar në Ligën e Parë, po ashtu edhe në Superligën e Kosovës, golin e parë të këtij klubi.
“Më ka munguar Superliga shumë për një vit, por fatmirësisht sakrifica ime dhe e bashkëlojtarëve për skuadrën bëri që shumë shpejt ta inkuadrojmë Suharekën në elitën e futbollit kosovar. E kam nisur shumë mirë me dy gola dhe besoj që do t’i ndihmoj skuadrës edhe në vazhdimësi me gola”.
“Jam i lumtur që jam pjesë e historisë të një klubi të ri . Kam shënuar golin e parë në Ligën e Parë dhe golin e parë të Superliges . Te jesh pjesë e historisë të një klubi është gjë pozitive dhe historike”, nënvizoi sulmuesi gjakovar.
Ai tutje foli për objektivat personal, por edhe të klubit për këtë sezon.
“Janë 36 ndeshje deri në fund dhe besoj që do të arrijmë sukses me skuadrën. Personalisht dua të jem në top tre golashënuesit e vitit dhe pse jo edhe në ‘Formacionin e vitit’”.
“Objektivat e klubit janë që të arrijë një organizim të mirë, të kemi stabilitet në Superligë edhe dalja në garat evropiane, gjë që mbetet të shihet”, deklaroi Zeka.
Për fundi ai dha përshtypjet e tij për punën me trajnerin e njohur Shpëtim Duro, duke zbuluar edhe kërkesën e trajnerit ndër vite që ta ketë pjesë të skuadrës.
“Trajneri Shpëtim Duro është një trajner me bagazh të madh në futboll dhe e vlerësoj ftesën që me ka bërë paraprakisht në disa skuadra që i ka drejtuar në Superioren e Shqipërisë, por ja që kam fatin tani të punoj me të. Besimin e ti do të mundohem të ja shpaguaj tani te skuadra e Suharekës. Stafi teknik është jashtëzakonisht i mirë tek skuadra jonë me emra si Debatik Currin, Ardian Sallahun dhe Armend Simnica që në mënyrë profesionale po na qëndrojnë afër vazhdimisht . Shpresoj që të gjithë së bashku te arrijmë sukseset e duhura”, përfundoi Zeka. /Telegrafi/