Një grua që shkoi në polici për t’u ankuar për një ngjarje që i ndodhi, e bëri lëmsh krejt stacionin. Kjo meqë në gjendje të dehur ajo sulmoi tre zyrtarë policorë, pak para mesnate, të enjten.
Ngjarja u zhvillua në stacionin policor “Veriu” në lagjen Arbëria në Prishtinë, ku e dyshuara fillimisht sulmoi e ofendoi rëndë një zyrtare policore që po e intervistonte e më pas të njëjtën gjë ua bëri edhe me dy kolegëve të saj.
Njërin nga ta e goditi me derë të zyrës, e tjetrin me duar. Me këtë e njëjta dyshohet se u ka shkaktuar lëndime trupore dhe për këtë kanë marrë tretman mjekësor, njofton Klan Kosova.
E.P. tashti po mbahet në ndalim sepse ndaj saj rëndon vepra e sulmit ndaj personit zyrtar.
“Pas konsultimit me prokurorin e shtetit i njëjti ka udhëzuar që rasti të iniciohet në drejtim të veprës penale sulm ndaj personit zyrtar si dhe ndaj saj ka lëshuar aktvendim mbi masën e ndalimit prej 48 orësh”, ka thënë, Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore të Prishtinë.
Klan Kosova mori vesh se tre policët që i vizitoi autoambulanca, morën vetëm lëndime të lehta trupore dhe tani janë në gjendje të mirë shëndetësore.