IPK ka rekomanduar suspendimin e togerit policor, Muhamet Kajtazi, komandant i Stacionit Policor në Skenderaj.
Ai dyshohet se me disa policë kanë shkuar për ngushëllime te familja e Faton Hajrizit.
Sipas njoftimit, i njëjti me vartësit e tij dyshohet të kenë kryer “shkelje të rëndë disiplinore -“Sjellje e rëndë diskredituese”.
“Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një togeri policor respektivisht Komandantit të Stacionit Policor të Skenderajt. Inspektorati Policor ka filluar hetim disiplinor nën dyshimin se i njëjti së bashku me vartësit e tij kanë kryer shkelje të rëndë disiplinore -“Sjellje e rëndë diskredituese”.
IPK ka pranuar informatat e para për këtë rast nga Policia e Kosovës dhe dyshohet se togeri policor së bashku me disa zyrtarë të tjerë policorë kanë shkuar për ngushëllime te familja e një personi i cili para disa jave kishte ikur nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë, ku ishte duke vuajtur dënimin me burgim për disa vepra penale, (dhe së fundi i njëjti është vrarë në territorin e Republikës së Serbisë nga policia atje).
Me këto veprime dyshohet se togeri policor dhe vartësit e tij kanë kryer shkelje të rëndë disiplinore -“Sjellje e rëndë diskredituese”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së bazuar në fushëveprimin dhe autorizimet ligjore të Inspektoratit Policor./Telegrafi/