Kryeparlamentari Glauk Konjufca në bazë të rregullores së Kuvendit, ka shqiptuar vërejtje për gjuhë joparlamentare të përdorur nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Në seancën e Kuvendit të enjten, Shala ka ofenduar rëndë Kurtin, ndërsa dëgjohet duke thënë “Phuu ta … tradhtarin e nanës”.
“Zotëri Shala, të gjitha faktet tregojnë se keni përdorur një gjuhë joparlamentare, por pa mikrofon. Mirëpo, për këtë rregullorja më obligon se sipas nenit 65, pika 3 t’iu japim një vërejtje për këtë shkelje”, ka thënë Konjufca, teksa e njoftoi Shalën për vërejtjen e shqiptuar.
Fjalën iu dha edhe deputetit, i cili nuk kërkoi falje për ofendimin ndaj Kurtit, por duke ironizuar, kërkoi që vërejtjen t’ia dërgojnë me postë.
“Faleminderit, ma dërgoni vërejtjen me postë”, u shpreh Shala. /Telegrafi/