Jo vetëm operatorët turistikë në bregdet, por edhe ato në Pogradec, kanë ndjerë vështirësitë e pritshme të këtij sezoni veror, që i ka paraprirë situata e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Në fakt, edhe njësitë akomoduese dhe hoteliere në Pogradec, kanë ndjerë që në tremujorin e parë të këtij viti, kërkesën e ulët të turistëve, duke u mjaftuar vetëm me fundjavat. Nëse do ta krahasonim me periudhën e pandemisë, kjo e luftës paraqitet shume herë më e vështirë.
“Një situatë tepër e vështirë, jemi ankuar për pandeminë, por kjo qenka edhe më e vështirë. Ndërkohë që deri dje donin të prenotonin dhomat edhe gjatë fundjavave, tani klientët pyesin për çmimet, duke na vënë në vështirësi për miqësinë që ne kemi ndaj tyre, dhe kemi ulur me 20% çmimet”, thotë Mioza Shuli, administratorja e një hoteli në qytetin liqenor.
“Ne nuk do të ndryshojmë çmimet, edhe pse kostot e materialeve janë rritur, por barra e tyre do të merret përsipër nga ne”, shton Kryos Hymeti, pronar i një strukture tjetër.
Nga ana tjetër, edhe bashkia pritet të pasurojë më shumë paketën turistike të Pogradecit për sezonin e afërt, duke shtuar përveç aktiviteteve edhe sitet apo vendet arkeologjike me interes për t’u vizituar.
Në sezonin e kaluar, falë çmimeve më të lira dhe një shërbimi korrekt, Pogradeci arriti të kishte një sezon të mbarë, duke konkurruar bindshëm edhe zonat e bregdetit të vendit./A2 CNN