Site icon Telegrafi

Selma Blair: Mjekët nuk më merrnin seriozisht kur u thosha se jam e sëmurë

Aktorja amerikane, Selma Blair, vuan nga skleroza multiple (Foto: Dia Dipasupil/Getty Images/Guliver)

Selma Blair, e cila muaj më parë ka konfirmuar se vuan nga skleroza multiple, ka folur për diagnozën dhe luftën me sëmundjen e rëndë.

Gjatë një interviste me Robin Roberts në emisionin Good Morning America, aktorja ka treguar se prej se e ka lindur djalin e saj e ka pasur sëmundjen, mirëpo nuk e ka ditur.

Selma Blair (Foto: Rachel Murray/Getty Images for Netflix/Guliver)

“Mjekohesha vet kur ai nuk ishte me mua. Pija. Kisha dhimbje. Jo gjithmonë isha e sëmurë, por vetëm atëherë kur dhimbja ishte aq e madhe saqë nuk mund ta duroja”, ka rrëfyer ajo.


Skleroza multiple është një sëmundje demielinizuese, në të cilën janë të dëmtuar mbështjellësit e qelizave nervore në tru dhe në palcën kurrizore (medulla spinalis). Ky dëmtim e pengon aftësinë e pjesëve të sistemit nervor që të komunikojnë duke shkaktuar një varg shenjash dhe simptomash fizike, mentale dhe nganjëherë edhe probleme psikiatrike. Në simptomat specifike përfshihen problemet në shikim (nistagmus, vizion i dyfishtë, neurit optik), dobësia dhe spazmat muskulore, probleme me ndjesinë, koordinimin dhe baraspeshën, lodhje, dhimbje, vështirësi në kontrollimin e urinimit dhe defekimit, dhe shumë simptoma të tjera.


Pos dhimbjes fizike, Blair është dashur të përballej edhe me frustrimin që i shkaktonin mjekët, të cilët nuk i merrnin parasysh simptomat e saj.

Lexo po ashtu Selma Blair vuan nga skleroza multiple, aktorja i falënderon të gjithë ata që kujdesen për të në baza ditore

“Mjekët nuk më merrnin seriozisht, simptomat e mi i kuptonin si rraskapitje, sepse isha një nënë e vetme dhe kisha probleme financiare”, ka treguar 46-vjeçarja.

Selma Blair (Foto: Dia Dipasupil/Getty Images/Guliver)

Ajo ka thënë se kishte qarë nga lehtësimi kur ishte diagnostikuar me sklerozë multiple, përkundër është fjala për një sëmundje të rëndë. Mirëpo, atëherë e kishte kuptuar se gjithë energjinë e saj duhej ta përqendronte në mjekim dhe të jetonte me këtë sëmundje.

Blair ka theksuar se vuan nga lloji agresiv i sklerozës multiple, ndërsa mjeku i saj ka thënë se brenda një viti, ajo mund t’i kthejë deri në 90 për qind të aftësive të saj. /Telegrafi/

Exit mobile version