Sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veri-Atletike (NATO), Jens Stoltenberg ka kërkuar nga Kosova që të mos bëjë hapa te njëanshëm e destabilizues.
Stoltenberg me anë të një shkrimi në Twitter, njofton se ka folur me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell duke thënë se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen në dialog.
“Fola me Josep Borrell për Kosovën. Tani Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen në dialogun e drejtuar nga BE-ja, si e vetmja rrugë drejt paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të de-përshkallëzojë dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm destabilizues. KFOR-i do të vazhdojë të sigurojë një mjedis të sigurt”, ka shkruar Stoltenberg.
Spoke to HR/VP @JosepBorrellF about #Kosovo. Pristina & Belgrade must engage in the EU-led dialogue now, as the only way to peace & normalisation. Pristina must de-escalate & not take unilateral, destabilising steps. @NATO_KFOR will continue to ensure a safe & secure environment.
— Jens Stoltenberg (@jensstoltenberg) May 28, 2023
Dy ditë pas tensioneve në veri, ku serbët lokalë tentuan të pengojnë hyrjen e kryetarëve të rinj në objektet e komunave, gjendja atje raportohet të jetë e qetë. Të premten, serbët lokalë kanë tentuar të bllokojnë objektet e komunave dhe të pengojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptar.
Policia e Kosovës e cila asistoi kryetarët u detyrua të shpërndajë serbët që ishin mbledhur, por që ata nuk kishin përfillur urdhrat e policëve dhe kishin vazhduar të gjuajnë me gurë në drejtim të tyre dhe të krijojnë barrikada në rrugë.
Për zhvillimet e fundit në veri ka pasur reagime të shumta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Përmes reagimeve të tyre, ndërkombëtarët kërkuan të mos përshkallëzohet situata pasi që kjo nuk ndihmon në procesin e dialogut mes dy vendeve. /Telegrafi/