Rreth 730 ankesa të punëtorëve për shkelje të të drejtave të tyre janë dërguar në Inspektoratin e Punës vetëm gjatë vitit 2017.
Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi tha se numri i ankesave të punëtorëve ka shënuar trend të rritjes në vitin që e lamë pas.
“Këtë vit ne kemi diku rreth 730 ankesa kryesisht prej punëtorëve dhe kryesisht kjo është një trend në rritje dhe mua më vjen shumë mirë që punëtorët megjithatë e kanë kuptuar që duhet t’i mbrojnë të drejtat e veta, duhet të angazhohen për të drejtat e veta por edhe më vjen mirë që e kanë fituar besimin në Inspektoratin e Punës”, tha Ibrahimi, në një intervistë për Kallxo.com.
Megjithatë sipas tij, Inspektorati vazhdon të gjejë disa herë më shumë shkelje nga inspektimet e rregullta sesa që raportohen nga punëtorët.
“Në qoftë se ne kemi pasur diku rreth 3 mijë ri-inspektime që ne i quajmë, diku rreth 3000 raste që ne kemi konstatu që ka shkelje ndërsa të raportuara kemi vetëm 727 atëherë del një disharmoni e madhe në mes të shkeljeve të të drejtave që ne i kemi konstatuar”, tha Ibrahimi.
Ankesat e pranuara nga punëtorët sipas Ibrahimit vijnë kryesisht nga të punësuar në sektorin privat.
“Pjesa më e madhe e ankesa është nga sektori privat, kryesisht te sektori publik janë konkurset, me rastin e shpalljeve të konkurseve atëherë ankohen nëse janë pranu apo s’janë pranuar…”, tha ai.