Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, ka folur në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes ndaj SPAL.
Fokusi i Juves është vetëm te kjo ndeshje, edhe pse trajneri bardhezi ka folur edhe për disa tema tjera.
Mes tjerash ai e ka shpjeguar situatat për Mario Mandzukic dhe Emre Can, që u lanë të dy jashtë listës së Ligës së Kampionëve.
“Mandzukic ka vendosur që të jetë ende i veçuar dhe ia ka kërkuar vetë klubit. Të shohim kur të mbyllet afati kalimtar në vendet ku ende është i hapur. Më pas, do ta kem në dispozicion”.
“Emre Can? Më erdhi keq që e lashë jashtë, por duhet ta bëja”.
“Duhet ta rikuperoj dhe e shoh me dëshirë dhe angazhim. Deklaratat e tij janë normale, duke qenë se çdo futbollist dëshiron të luajë në Ligën e Kampionëve. Do të provoj ta rikuperoj psikologjikisht”, ka thënë Sarri. /Telegrafi/