Site icon Telegrafi

Samiti i BE-së dhe çështja e liberalizimit të vizave, protesta e veteranëve dhe takimi me Kurtin, si dhe vizita e ministrit austriak – top lajmet e javës

Gjatë kësaj jave çështja e liberalizimit të vizave ishte temë diskutimi, ndërsa temë pritet të jetë edhe në Samitin e Bashkimit Evropian që do të mbahet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel.

Liberalizimi i vizave është diskutuar edhe gjatë vizitës së kancelarit gjerman në Kosovë, Olaf Scholz, ministrit të Jashtëm të Austrisë, Alexander Schallenberg, presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michell.

Për liberalizimin e vizave thirrje ka bërë edhe presidenti i Sllovenisë, Barut Pahor, ministrja austriake për Evropë, Karoline Edtstadler, ndërsa për këtë shpresa dha edhe ndërmjetësi i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Gjatë javës që po lëmë pas veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbajtur një protestë para Kuvendit të Kosovës kundër miratimit të Projektligjit për Pagën Minimale.

Po javën që po lëmë pas për vizitë në vendin tonë ishte ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg.

Samiti i BE-së më 23 qershor, a do të diskutohet për liberalizimin e vizave?

Samiti i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të mbahet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel, ndërsa në këtë samit do të diskutohet edhe për perspektivën evropiane të këtyre vendeve.

Kosova është i shteti i vetëm në Evropë që ende nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë, pavarësisht rekomandimeve të Komisionit Evropian se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave.

Ditëve të fundit është raportuar se në këtë samit do të diskutohet edhe çështja e liberalizmit të vizave.

Presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media në Prishtinë pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel deklaroi se institucionet e Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm me vendet anëtare të Bashkimit Evropian për çështjen e liberalizimit të vizave.

Lexo po ashtu Paralajmërimet se liberalizimi i vizave mund të ndodhë në qershor, deklarohet Osmani

E pyetur rreth deklaratës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se liberalizimi i vizave për kosovarët do të ndodh më 23 qershor, Osmani theksoi se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret tash e disa vjet dhe se nuk ka asnjë arsye që ky proces të bllokohet.

“Jemi në kontakt me vendet anëtare të BE-së. Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret tash e disa vite. Nuk ka asnjë arsye që ky proces të bllokohet. Do të vazhdojmë të punojmë me vendet anëtare derisa të merret një vendim që i jep fund kësaj padrejtësie të madhe ndaj popullit të Kosovës, Nëse kjo do të ndodh me 23 qershor apo një datë tjetër, është vullnet i vendeve anëtare të BE-së”, kishte deklaruar Osmani në konferencë për media.

E lidhur me çështjen e liberalizmit të vizave dhe Samitin që pritet të mbahet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel, Ministria e Punëve të Jashtme të Francës në faqen zyrtare është përgjigjur rreth çështjes se Franca po e ngadalëson këtë proces.

Pyetja: Pavarësisht rekomandimeve të Komisionit Evropian, kosovarët nuk kanë qasje në vizën Shengen. Sipas Prishtinës, Franca është një nga vendet që po e ngadalëson këtë proces. Pse? A do të trajtohet kjo temë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor?

Përgjigjja: Takimi i 23 qershorit i liderëve Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor do të jetë një mundësi për të diskutuar mundësinë që vendet në rajon të përmbushin perspektivën e tyre evropiane, ndër temat e tjera.

Për sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, kjo çështje është pjesë e udhërrëfyesit që është miratuar nga Bashkimi Evropian, i cili përfshin një sërë kushtesh që duhet të përmbushen efektivisht në afat të gjatë.

Lexo po ashtu Liberalizimi i vizave afër? - Pritet të diskutohet në Samitin e Bashkimit Evropian më 23 qershor

E lidhur me këtë çështje është deklaruar edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ai në një intervistë për EuroNews Albania ishte shprehur se Kosovës i duhej dhënë liberalizimi i vizave shumë kohë më parë.

“Nuk ka asnjë dyshim që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të hequr sistemin e vizave dhe problemi qëndron sërish tek mungesa e konsensusit. Por mund të them që kjo problematikë po ngrihet mes vendeve anëtare shumë më shpesh, gjatë takimeve të organeve të ndryshme evropiane ndaj mendoj se është afër. Nuk guxoj të them një datë por ajo po vjen dhe këtë e them me siguri të plotë”, citohet të ketë thënë Lajçak.

Ditë më parë edhe presidenti slloven, Borut Pahor i ka shkruar presidentit të Këshillit Evropian, përmes së cilës ka kërkuar heqjen e vizave për Kosovën më 23 qershor.

Presidenti slloven kërkesën e ka bërë përmes një letre dërguar Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.

Pahor tha se i kërkoi BE-së që të merr vendime për përshpejtimin e integrimit të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

S’ka dakordim ndërmjet Kurtit dhe veteranëve, vazhdojnë protestat

Kryeministri Albin Kurti të premten ka pritur në takim përfaqësuesit e veteranëve të luftës, ndërkaq edhe pas dy orësh takim nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje konkrete lidhur me kërkesat e veteranëve për Projektligjin për Pagën Minimale.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku tha se në takim kanë biseduar gjatë dhe theksoi se ka mbetur që Kurti me shkrim t’ia dorëzojë propozimin e tij.

“Me kryeministrin nuk u dakroduam sepse ne kërkuam të kthehet pika 3.1 që e ka ndryshuar kjo Qeveri me Kuvendin e Kosovës që e kanë larguar beneficionin e veteranëve të luftës që me ligj nuk mund të jetë më e vogël se paga minimale… Ne i thamë që pika 3.1 të kthehet dhe seanca që do të mbahen ne vazhdojmë protesta”, tha Klinaku.

Kryeministri Albin Kurti dhe Faton Klinaku nga OVL e UÇK-së

Sipas ushtruesit të detyrës së kryetarit të OVL e UÇK-së protestat do të vazhdojnë deri të rregullohet kjo çështje.

“Nëse qeveria këtë e rregullon më mire atëherë është çështje e qeverisë që të kontribuojë më shumë. Mund ta bëni më mire se që ka qenë po jo ta largoni pikën 3.1… E presim çka po dorëzon me shkrim”, tha Klinaku.

Lexo po ashtu S'ka dakordim ndërmjet Kurtit dhe veteranëve, vazhdojnë protestat

Ai tha se edhe në ditën që thërrasin seancë për lexim të dytë të Projektligjit për Pagën Minimale do të mbajnë protestë.

Sipas tij, arsyetimet e kryeministrit për numrin e veteranëve janë të pabaza, pasi sipas tij me atë merret Gjykata e jo qeveria.

Ndryshe, të enjten për tetë orë kanë protestuar veteranët e OVL e UÇK-së kundër largimit të tyre nga Ligji për Pagën Minimale. Për këtë ata kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës, ndërsa partitë opozitare nuk kanë lejuar as mbajtjen e seancës plenare.

Ministri i Jashtëm austriak: BE-ja të heq vizat për Kosovën, Moska mund të destabilizoj rajonin

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, të martën ishte për vizitë në Kosovë, ndërsa pas takimit me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova dhe Austria kanë marrëdhënie të shkëlqyera në të gjitha fushat.

Kryediplomati austriak, tutje u shpreh se situata në Ukrainë duhet të shërbej si thirrje që BE-ja të zgjohet dhe të trajtoj anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen e saj.

“Kemi marrëdhënie të shkëlqyer në gjitha fushat. Një gjë është e qartë, vizita ime po bëhet në kohën kur nuk është situatë e zakonshme… Ne duhet të kemi parasysh që Moska e ka mundësinë të bëjë destabilizim të rajonit, dhe kjo gjë na ngreh neve zilet e alarmit. Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, është thirrje për të zgjuar BE-në për të trajtuar synimin e anëtarësimit në BE dhe kjo nuk ka qenë asnjëherë më e rëndësishme se tani”, tha Schallenberg.

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg gjatë një konference në Prishtinë

Schallenberg bëri thirrje që të hiqen vizat për Kosovën si dhe të hapen negociatat për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Të hapen negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, dhe të bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën. Austria do ta kërkoj këtë gjë në mënyrë aktive, e kemi bërë në të kaluarën dhe do të vazhdojmë ta bëjmë”, u shpreh ministri i jashtëm austriak.ë

Schallenberg përmendi edhe çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, ku tha se në fund të këtij procesi duhet të ketë normalizim të plotë dhe njohje, e cila sipas tij nuk vihet në dyshim fare. /Telegrafi/

Exit mobile version