Për të përmbyllur një ditë me prezantime produktesh, studiuesit, inxhinierët dhe drejtuesit e OpenAI, përfshirë CEO-në e saj, Sam Altman, iu përgjigjën pyetjeve në një AMA (Ask Me Anything) të gjerë në Reddit.
OpenAI ndodhet në një pozitë delikate. Kompania po përballet me perceptimin se po humbet terren në garën për inteligjencën artificiale ndaj kompanive kineze si DeepSeek, të cilën OpenAI e akuzon për vjedhje të mundshme të pronësisë intelektuale. Prodhuesi i ChatGPT po përpiqet të forcojë marrëdhëniet me Uashingtonin, ndërsa njëkohësisht ndjek një projekt ambicioz për qendrat e të dhënave dhe raportohet se po përgatit terrenin për një nga raundet më të mëdha të financimit në histori.
Altman pranoi se DeepSeek ka zvogëluar epërsinë e OpenAI në AI dhe beson se OpenAI ka qenë “në anën e gabuar të historisë” sa i përket politikës së saj për burimin e hapur. Megjithëse OpenAI ka publikuar modele me burim të hapur në të kaluarën, kompania në përgjithësi ka favorizuar një qasje të pronësuar dhe të mbyllur ndaj zhvillimit të teknologjisë.
“[Personalisht mendoj se duhet] të gjejmë një strategji tjetër për burimin e hapur. Jo të gjithë në OpenAI ndajnë këtë mendim, dhe gjithashtu nuk është prioriteti ynë më i lartë për momentin … Do të prodhojmë modele më të mira [në të ardhmen], por do të kemi një epërsi më të vogël se në vitet e kaluara”, tha ai.
Në një përgjigje pasuese, Kevin Weil, drejtuesi i produkteve në OpenAI, tha se kompania po shqyrton mundësinë e hapjes së modeleve më të vjetra që nuk janë më në pararojë “do ta konsiderojmë seriozisht këtë mundësi”.
Përtej rishikimit të filozofisë së saj për publikimet, Altman tha se konkurrenca me DeepSeek ka shtyrë kompaninë të eksplorojë mënyra për të zbuluar më shumë mbi mënyrën se si modelet të ashtuquajtura të arsyetimit, si modeli o3-mini i publikuar sot, arrijnë në përfundimet e tyre. Aktualisht, modelet e OpenAI fshehin arsyetimin e tyre, një strategji që synon të parandalojë konkurrentët nga kopjimi i të dhënave të trajnimit. Në të kundërt, modeli i arsyetimit i DeepSeek, R1, e shfaq të gjithë zinxhirin e tij të mendimit.
“Po punojmë për të shfaqur shumë më tepër sesa tregojmë sot – [tregimi i procesit të mendimit të modelit] do të ndodhë shumë shpejt. Nuk është ende vendosur gjithçka – shfaqja e gjithë zinxhirit të mendimit mund të çojë në distilimin e konkurrencës, por gjithashtu e dimë që njerëzit (të paktën përdoruesit e avancuar) e duan këtë, kështu që do të gjejmë mënyrën e duhur për ta balancuar”, shtoi Weil.
Altman dhe Weil u përpoqën të shpërndanin thashethemet se ChatGPT, platforma e chatbot-it përmes së cilës OpenAI lançon shumë nga modelet e saj, do të rritej në çmim në të ardhmen. Altman tha se ai do të dëshironte ta bënte ChatGPT “më të lirë” me kalimin e kohës, nëse është e realizueshme.
Më herët, Altman kishte thënë se OpenAI po humbiste para me planin më të shtrenjtë të ChatGPT, ChatGPT Pro, i cili kushton 200 dollarë në muaj.
Në një temë disi të lidhur, Weil tha se OpenAI vazhdon të shohë prova se fuqia më e madhe e llogaritjes çon në modele “më të mira” dhe më të fuqishme. Pikërisht kjo është një nga arsyet që po nxit projekte si Stargate, projekti gjigant për qendrat e të dhënave i shpallur së fundmi nga OpenAI, tha Weil. Ai shtoi se rritja e bazës së përdoruesve po ndikon gjithashtu në rritjen e kërkesës për fuqi llogaritëse brenda OpenAI.
Sigurisht, vlen të theksohet se Altman është i njohur për premtime të tepërta. Jo shumë kohë më parë, ai uli pritshmëritë e OpenAI për AGI (Inteligjencën e Përgjithshme Artificiale).
Një përdorues në Reddit pyeti nëse modelet e OpenAI, qoftë vetë-përmirësuese apo jo, do të përdoreshin për zhvillimin e armëve shkatërruese – konkretisht armëve bërthamore. Këtë javë, OpenAI njoftoi një partneritet me qeverinë e SHBA për t’i vënë modelet e saj në dispozicion të Laboratorëve Kombëtarë të SHBA-së, pjesërisht për kërkime mbi mbrojtjen bërthamore.
Weil tha se ai ka besim tek qeveria, “kam pasur mundësinë të njoh këta shkencëtarë dhe ata janë ekspertë të AI-së, përveçse kërkues të klasit botëror. Ata e kuptojnë fuqinë dhe kufizimet e modeleve, dhe nuk besoj se ka asnjë mundësi që thjesht të fusin një model AI në ndonjë llogaritje bërthamore në mënyrë të pakontrolluar. Janë të zgjuar, bazohen në prova dhe bëjnë shumë eksperimente dhe analiza të dhënash për të verifikuar punën e tyre”.
Ekipit të OpenAI iu bënë edhe disa pyetje me natyrë më teknike, si:
Kur do të publikohet modeli tjetër i arsyetimit i OpenAI, o3? – “Më shumë se disa javë, më pak se disa muaj”, tha Altman.
Kur mund të vijë modeli tjetër kryesor i OpenAI që nuk është i fokusuar tek arsyetimi, GPT-5? – “Nuk kemi ende një afat kohor”, pohoi Altman.
Kur OpenAI mund të zbulojë një pasardhës të DALL-E 3, modelit të saj për krijimin e imazheve? DALL-E 3, i cili u publikua rreth dy vjet më parë, tashmë është mjaft i vjetër. Teknologjia e gjenerimit të imazheve ka përparuar me hapa të mëdhenj që nga debutimi i tij, dhe modeli nuk është më konkurrues në disa teste krahasuese.
“Po! Po punojmë për të”, tha Weil për pasardhësin e DALL-E 3 dhe shtoi, “dhe mendoj se do të ia vlejë pritja”. /Telegrafi/