Ministri ukrainas i Punëve të Brendshme, Ihor Klimenko ka publikuar një video të realizuar në Cherkasi, një qytet tjetër ukrainas që u granatuar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga forcat ruse.
Në video shihet operacioni i kërkim-shpëtimit të mbijetuarve dhe plagosurve, që kanë mbetur nën rrënojat e ndërtesës së shembur, transmeton Telegrafi.
Klimenko në kanalin e tij në Telegram, ka njoftuar se operacioni i kërkim-shpëtimit po vazhdon, duke shtuar se akoma janë në kërkim të personave që mund të kenë ngecur nën rrënoja.
Në anën tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka kritikuar ashpër Rusinë – duke theksuar se po kryen gjenocid.
Madje gjatë fjalimit të ambasadorit rus në OKB, Zelensky ka bojkotuar fjalimin e tij duke lëshuar përkohësisht sallën. /Telegrafi/