Drejtori i Përgjithshëm i Bayern Munchen, Karl-Heinz Rummenigge, ka thënë se ai po përpiqet të flasë me presidentin e Juventusit, Andrea Agnelli, por ai nuk e ka hapur telefonin në thirrjet që ia ka bërë.
Bayern Munich ka refuzuar mundësinë për t’u bashkuar në Superligën Evropiane, duke këmbëngulur se Liga e Kampionëve është gara më e mirë në botë.
“Doja të flisja me Agnelli, por nuk arrita ta marr në telefon. Unë nuk i di motivimet e tij dhe nuk dua ta kritikoj atë pa e ditur. Ndoshta ka një arsye që nuk e di”, ka thënë Rummenigge për Il Corriere della Sera.
Juventusi është mes 12 klubeve që themeluan Superligën Evropiane të dielën, me Agnellin është emëruar nënkryetar i saj.
Ish-klubi i Rummenigge, Inter është gjithashtu i përfshirë në garë.
“Kam dëgjuar thashetheme se ata kanë probleme financiare, të ardhurat e mundshme duken të mëdha, por nuk do të jenë të mjaftueshme për të zgjidhur problemet financiare në planin afatgjatë. Ju nuk mund të vazhdoni të arkëtoni për të kompensuar shpenzimet”.
“Ne jemi jashtë Superligës sepse nuk duam të marrim pjesë në të. Ne jemi të lumtur që luajmë Bundesligën. Është buka dhe gjalpi ynë, siç thonë anglezët”.
“Ne jemi të lumtur që jemi pjesë e Ligës së Kampionëve dhe mos harroni përgjegjësinë ndaj tifozëve tanë, të cilët përgjithësisht janë kundër reformave të tilla. Ne e ndiejmë përgjegjësinë ndaj futbollit në përgjithësi”, deklaroi Rummenigge. /Telegrafi/