Biznesmeni i njohur kosovar, i cili njihet shumë në popull si një meditues dhe mjek popullor, Hetem Ramadani, si rrallë herë ai ka folur për figura të rëndësishme të politikës ndër vite në Kosovë, e në mesin e tyre edhe për Adem Demaçin, me të cilin ishte mik dhe po ashtu këshilltari i parë i tij.
Ramadani ,në emisionin “FAKTE me Adnan MEROVCIN” në Klan Kosova, u shpreh se lidhja emocionale me Adem Demçin filloi qysh kur ishte në gjimnaz dhe kishte lexuar librin e tij “Gjarpinjtë e gjakut”, ndërsa lidhjen e tij fizike me Demaçin ai ia kontribuon babait të tij.
“Babai im duke qenë i pandashëm në organizata, e ka pru (Demaçin) në vitin ’74 në dhomën time, deri e kanë marrë një vjet pastaj në burg. Pastaj, kur ka dal në vitin ’90 ka qenë më shumë me mua se me Rexhën, me babën. Dhe kur kam ikë unë në Lubjanë, ka jetu me muaj të tërë, dhe Demaçi aty nuk vike me hëngër e me pi”, tha ai.
Ai thotë se tema e Kosovës, e patriotizmit ishin vazhdimësia e rrugës me të.
Ramadani gjithashtu foli edhe për presidentin historik, Ibrahim Rugovën, duke e vazhduar rrëfimin e tij për lidhjet që i kishte me këto dy figura.
“Qëllimi im, se janë njerëzit gjallë sot, ka qenë qysh me i afruar këta njerëz, qysh me e shfrytëzu këtë potencial? Se Rugova kishte…tani a më i madh Rugova apo Demaçi varet sa njerëz ka mbrapa. Rugova kishte më së shumti”, u shpreh ai.