Ministrja shqiptare e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se rritja ekonomike për vitin 2022 ishte 4.84 për qind.
Ministrja theksoi se kjo rritje rezulton më e larta e rajonit dhe ndjeshëm më e lartë se në vendet e BE-së. Sipas saj, mesatarja e rritjes në vendet e BE-së ishte 1.7 për qind.
“Rritja ka qenë e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë, konkretisht ndërtimi e 10.7 për qind, tregtia 9.9 për qind, bujqësia 0.06 për qind dhe industria 5.45 për qind. Rritja tejkaloi parashikimet e ministrisë, por edhe institucioneve ndërkombëtare”, tha Ibrahimaj në një konferencë për shtyp lidhur më zhvillimet ekonomikë të vitit e kaluar.
“Ministria dhe FMN parashikonin një rritje prej 3.7 për qind, ndërkohë Banka Botërore parashikonte një rritje prej 3.5 për qind dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, një rritje prej 3 për qind”, u shpreh ministrja.
Ibrahimaj vuri në dukje se konsumi final i popullatës u rrit me 7.13 për qind, ndërsa investimet me 7 për qind.
“Kemi pasur ecuri të mirë në terma real të pandikuar nga çmimet, si për konsum edhe investime”, deklaroi ministrja.
Ministrja Ibrahimaj tha se i vetmi sektor që ka pasur ecuri më të ngadaltë në tremujorin e katërt të vitit që lamë pas ishte bujqësia e ndikuar nga çmimet në tregjet ndërkombëtare dhe ato vendase. /Telegrafi/