Aksidentet në Shqipëri kanë ardhur në rënie gjatë muajit nëntor, por shifrat për 11 muajt e fundit tregojnë të kundërtën.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në nëntor janë shënuar 147 aksidente rrugore, nga 167 në të njëjtin muaj të vitit 2023. Numri i të vrarëve dhe të plagosurve ishte 188, nga 212 të një viti më parë. Megjithatë, për të gjithë vitin, shifrat janë rritur. Gjatë periudhës Janar-Nëntor janë shënuar 1517 aksidente, një rritje me 34%, ndërkohë që një vit më parë ishin 1128 aksidente.
Vdekshmëria në aksidente ka qenë 9.8 për çdo 100 aksidente, nga 15.7 krahasuar me vitin 2023.
Shumica e aksidenteve kanë ndodhur për shkak të sjelljes së drejtuesve të mjeteve, ku të rinjtë, veçanërisht grupmosha 25-34 vjeç, janë ata që kanë shkaktuar më shumë aksidente.
E mërkura është dita kur kanë ndodhur më shumë aksidente, me 18.4%, ndërsa e hëna ka pasur numrin më të vogël të aksidenteve.